Spanjë, votimet për qeverinë e re, sondazhet parashikojnë fitore të së djathtës

Botë | 3 vite më parë

Votuesit spanjollë iu drejtuan kutive të votimit të dielën për të vendosur nëse do t’i japin kryeministrit socialist Pedro Sanchez një mandat të ri katërvjeçar ose, siç sugjerojnë sondazhet, të rikthejnë të djathtën në pushtet.

Qendrat e votimit u hapën në orën 9:00 (07:00 GMT) dhe do të mbyllen në orën 20:00, ndërsa rezultatet priten disa orë më vonë.

Sanchez bëri thirrje për një “pjesëmarrje historike” për të krijuar një “qeveri të fortë” pasi hodhi votën e tij në Madrid.

Zgjedhjet janë “të rëndësishme jo vetëm për ne, por edhe për botën dhe për Evropën,” shtoi ai.

Një zhvendosje politike djathtas në ekonominë e katërt më të madhe të eurozonës, duke pasqyruar një lëvizje të ngjashme në Itali vitin e kaluar, do të ishte një goditje e madhe për partitë e krahut të majtë në Evropë.

Pothuajse të gjitha sondazhet dhe ekspertët sugjerojnë se votimi do t’i japë fitoren Partisë Popullore (PP) konservatore të Alberto Nunez Feijoo por surpriza mund të priten.

Në sondazhet e fundit rreth një në pesë votues ishin ende të pavendosur dhe mbetet e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë në pjesëmarrjen koha e votimit të mbajtur në kulmin e pushimeve verore në vapën përvëluese të fundit të korrikut.

Gazetar Artur Mata

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme