Spiropali: Në dy anët e Drinit do valëvitet flamuri i BE! Tahiri: Përgjigje të përbashkët për këdo që do të na përçajë

Në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha flamuri i Be do valëvitet në Shqipëri dhe Kosovë. Spiropali shtoi se regjimi i vizave në Kosovës është absurde dhe Shqipëria do jetë një nga avokatet më të zëshme të Kosovës për liberalizimin e vizave.
“Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një nga avokatet më të zëshme të Kosovës për liberalizimin e vizave. Ne e gjykojmë absurde sesi ekziston regjimi i vizave. Sesi ata që sot në Kosovë kanë moshë gjyshërish lëviznin lirisht në kohën e ish Jugosllavisë ndërsa nipërit e tyre sot janë të izoluar. Rajoni duket se i ka mbyllur hesapet me luftën por paqja nuk është kurrë një ekuilibër. Duhet të dëshmojnë qartë, shpejt në të dy brigjet e Drinit do valëvitet edhe flamuri i Europës. Për ne kjo është e vetmja zgjidhje”, tha Spiropali.
Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PDK, Abelard Tahiri tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë përgjigje të përbashkët për këdo që kërkon të na përçajë.
“Populli shqiptar e ka në themel idealin e demokracisë. Duhet të tejkalojmë rrethanat kur e dimë se çfarë nuk duam sot, por e dimë se çfarë duam në të ardhmen ku shoqëritë tona janë të drejta, të barabarta dhe të lira. Duam një të ardhme kur njerëzit tanë mund të shkruajnë historinë e jetës së tyre në bazë të lirisë demokracisë dhe drejtësisë që janë baze e karakterit tonë të përbashkët. Kush do të na përçajë ne duhet të kemi një përgjigjeje të përbashkët për ata. Bashkë drejt BE, dhe në aleancë me SHBA dhe në NATO”, tha Tahiri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




