Spiropali vizitë në Horën e Arbëreshëvet në Itali, përshëndet në Konferencën mbi Gjergj Kastrioti Skënderbeun

Politikë | 2 vite më parë

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë në Horën e Arbëreshëvet, në Itali për të marrë pjesë në veprimtaritë festive me rastin e themelimit të Horës.

Në vijim të vizitës, Kryeparlamentarja Spiropali përshëndeti në Konferencën mbi Gjergj Kastrioti Skënderbeun, organizuar nga Bashkia e Horës, me pjesëmarrjen e autoriteteve vendore, qytetarëve dhe përfaqësues të Diasporës shqiptare nga vende të ndryshme të botës.

Duke vlerësuar figurën e Heroit tonë Kombëtar, Spiropali tha e Gjergj Kastrioti Skënderbeu është emblema solemne e kombit shqiptar.

“Është hiri, himni, heroika dhe vetë flamuri i ndërgjegjes sonë kombëtare. Është Ati që lindi dhe Biri që mbrojti Atdheun. Është prova dhe sprova, është shembulli dhe vizioni, është ëndrra e jetuar dhe beteja e fituar në kryeluftën tonë për identitet: Perëndim që lind apo Lindje ku perëndon!”, tha Kryeparlamentarja

Spiropali vlerësoi edhe kontributin e komunitetit arbëresh të Horës në historinë dhe kulturën shqiptare.

“Hora e Arbëreshëvet dhe ju, arbëreshët e Horës, keni një kontribut madhor në mbijetesën dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe letërsisë arbëreshe. Hora është një qendër e rëndësishme e lulëzimit kulturor, social, politik dhe fetar të komunitetit arbëresh. Hora ka meritën si një nga kolonat mbështetëse më të fuqishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe Rilindjes Italiane dhe në luftën për bashkimin e Italisë.

Emra të ndritur nga Diaspora historike si  Lekë Matrënga, Gjergj Guxeta, Marko La Piana, Lorenzo Petta, Xhuusepe Musakia, Paolo Skiroi, Dhimitër Kamarda, Gaetano Petrota, Nilo Borgia, Rosolino Petrota, Zef Skiroi, Nikola Barbato etj., si edhe nga Diaspora e re, si akademikët e shquar Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà, i bëjnë nder komunitetit arbëresh, kulturës dhe letërsisë shqipe. Është merita e arbëreshëve që mundësoi njohjen ligjërisht, më 1999, të komunitetit arbëresh si pakicë gjuhësore historike në Itali“, deklaroi Spiropali.

Kryeparlamentarja Spiropali nënvizoi se bashkëpunimi me komunitetin arbëresh dhe me shqiptarët emigrantë në Itali po zhvillohet në një kontekst shumë pozitiv, edhe për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë. “Partneriteti Strategjik dhe bashkëpunimi intensiv dypalësh, mbështetja e fuqishme nga Italia e integrimit evropian të Shqipërisë, marrëveshja e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Italinë për pensionet, zbatimi i Protokollit të Bashkëpunimit për emigrantët e paligjshëm, bashkëpunimi i gjerë dhe intensiv parlamentar mes Kuvendit, Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, angazhimi  i qeverisë italiane për mbështetjen e Kosovës, kontributi i përbashkët dhe mbështetjen për paqen dhe luftën e drejtë të Ukrainës janë disa tregues të bashkëpunimit Shqipëri-Itali, i cili asnjëherë nuk ka qenë më i mirë dhe më produktiv se sot”, theksoi ajo

Në vijim të vizitës në vendbanimin kryesor arbëresh në Siçili, Kryetarja e Kuvendit vizitoi Muzeun e Kulturës Arbëreshe “Nicola Barbato” në Horën e Arbëreshëvet, ku pati mundësinë të njihte nga afër historinë, kulturën, traditat, punën dhe jetën e përditshme të komunitetit arbëresh. Gjatë vizitës, ajo shprehu vlerësimin e saj për ruajtjen e trashëgimisë dhe identitetit kombëtar nga ky komunitet në diasporë.

Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit vizitoi edhe bibliotekën “G. Schirò”, e cila shërben si një libër i hapur për historinë, kulturën, jetën dhe qytetërimin e Arbëreshëvet të Horës.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme