Sri Lanka, Parlamenti voton sot presidentin e ri mes krizës ekonomike

Botë | 4 vite më parë

Deputetët e Sri Lankës do të votojnë sot për presidentin e ri, pasi ish-lideri i tyre u arratis nga vendi mes protestave për krizën ekonomike. Kryeministri Ranil Wickremesinghe, aktualisht udhëheqës i përkohshëm, është nominuar nga partia në pushtet dhe shihet si favoriti, shkruan BBC.

Por protestuesit duan që edhe ai të largohet pasi presidenti Gotabaya Rajapaksa dha dorëheqjen. Kryeministri po përballet me një sfidë serioze nga Dullas Alahapperuma, një deputet disident i partisë në pushtet, i mbështetur nga opozita kryesore.

Kushdo që zgjidhet nga parlamenti do të ketë një mandat për të shërbyer deri në nëntor 2024, në garë janë tre kanditatë. Sri Lanka ka “falimentuar” dhe përballet me mungesa akute të ushqimit, karburantit dhe furnizimeve të tjera bazë.

Vendit i duhet një qeveri e qëndrueshme për të vazhduar negociatat e ngecura me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një paketë shpëtimi.

Administrata dhe familja e zotit Rajapaksa, të cilat kanë qeverisur vendin për gati dy dekada, janë fajësuar për krizën aktuale.

Ai u largua në Maldive javën e kaluar pasi turmat pushtuan ndërtesat qeveritare, duke kërkuar për liderët politikë. Rajapaksa më pas fluturoi për në Singapor dhe zyrtarisht dha dorëheqjen të enjten.

Të mërkurën, policia rreshtoi barrikada jashtë parlamentit. Ndërkohë, një turmë demonstruesish u mblodh jashtë zyrës së sekretariatit të presidentit.

Ekziston frika se rezultati i zgjedhjeve, veçanërisht nëse zoti Wickremesinghe fiton, mund të shkaktojë trazira të mëtejshme nga protestuesit.

Gjithsej 225 deputetë do të votojnë. Nëse një kandidat merr më shumë se gjysmën e votave preferenciale, bëhet president i vendit.

/rtsh.al/

 

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme