Starmer: Britania e Madhe po bashkëpunon me aleatët për të frenuar Iranin që të ketë armë bërthamore

Kryeministri britanik Keir Starmer ka thënë se Mbretëria e Bashkuar po bashkëpunon me aleatët për të penguar Iranin të zhvillojë armët bërthamore.
Në intervistë për BBC News ai deklaroi se synimi kryesor është që Teherani të mos arrijë kurrë të ketë armë bërthamore dhe se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Kur u pyet nëse do të mbështeste sulme të mundshme amerikane kundër Iranit, Starmer u përgjigj se Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht këtë qëllim dhe po bisedon me aleatët për mënyrat se si mund të arrihet.
Gjithashtu, ai dënoi fort sjelljen e autoriteteve iraniane ndaj protestuesve pas konfirmimit zyrtar se të paktën 5000 njerëz janë vrarë gjatë protestave të mëdha në të gjithë vendin.
Ndërkaq, një ditë më parë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth deklaroi se ushtria e SHBA-së është e gatshme të zbatojë çfarëdo vendimi që merr presidenti Donald Trump lidhur me Iranin, për të parandaluar që Teherani të vijojë më tej aftësitë e tij bërthamore.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, ku Trump i kërkoi Hegsethit të komentonte situatën – me një forcë të madhe ushtarake amerikane të grumbulluar në rajon – ai tha se “ata nuk duhet të rrisin kapacitetet bërthamore. Ne do të jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdo që ky president pret nga Departamenti i Luftës (War Department),” duke iu referuar emërtimit jozyrtar që administrata Trump i ka vënë Departamentit të Mbrojtjes.
Zyrtarë amerikanë thanë se Trump po shqyrton opsionet, por ende nuk ka vendosur nëse do të godasë Iranin.
Tensionet SHBA-Iran u rritën pas shtypjes së përgjakshme të protestave në të gjithë Iranin nga autoritetet klerikale në javët e fundit.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të ndërhyjë nëse Irani vazhdon të vrasë protestuesit, por demonstratat në mbarë vendin për shkak të vështirësive ekonomike dhe shtypjes politike janë qetësuar tashmë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




