Stoltenberg: Erdogan do të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO

Botë | 3 vite më parë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka rënë dakord të mbështesë ofertën e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n. Kjo u bë e ditur nga shefi i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg.

Në një konferencë për shtyp, ai tha se presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, do ta përcjellë ofertën e Suedisë në parlamentin turk dhe “të sigurojë ratifikimin”.

Më parë, Erdogan kishte deklaruar se Turqia do të mbështeste Suedinë nëse Bashkimi Evropian do të rihapte bisedimet e anëtarësimit me Ankaranë. Ishte hera e parë që Erdogan e lidhi ambicien e vendit të tij për t’u bashkuar me BE-në, me përpjekjet e Suedisë për t’u bërë anëtare e NATO-s. Turqia vazhdimisht e ka kritikuar Suedinë për pritjen që ajo u ka bërë  militantëve kurdë.

Erdogan dhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, u takuan të hënën pasi arritën në Vilnius, ku krerët e NATO-s do të takohen gjatë dy ditëve të ardhshme për të diskutuar një mori çështjesh, duke përfshirë edhe marrëdhëniet e ardhshme të NATO-s me Ukrainën.

“Me kënaqësi njoftoj se pas takimit që zhvillova, Presidenti Erdogan ka rënë dakord t’ia përcjellë protokollin e pranimit të Suedisë Asamblesë së Madhe Kombëtare sa më shpejt, dhe të sigurojë ratifikimin. Ky është një hap historik që i bën të gjithë aleatët e NATO-s më të fortë dhe më të sigurtë“- shkroi Stoltenberg në Twitter.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme