Stoltenberg: Fuqitë e mëdha, s’mund t’u tregojnë vendeve të tjera çfarë të zgjedhin

Botë | 5 vite më parë

Në një konferencë për shtyp në Bruksel, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “bota nuk duhet të kthehet në epokën e sferave të ndikimit, ku fuqitë e mëdha tu tregojnë të tjerëve se çfarë duhet apo nuk duhet të zgjedhin”. Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj kërkesave të Rusisë dhe Kinës për të ndalur zgjerimin e NATO-s.

“Kjo është një përpjekje për t’u mohuar kombeve sovrane të drejtën për të bërë zgjedhjet e tyre të ruajtura në dokumentet kryesore ndërkombëtare”, shtoi Stoltenberg.

Ukraina aspiron të anëtarësohet në NATO, por nuk është anëtare dhe për këtë arsye nuk është pjesë e paktit të mbrojtjes reciproke të aleancës.

Moska kundërshton ashpër planet e anëtarësimit të fqinjit të saj. Një numër shtetesh të Evropës Lindore që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik janë anëtarësuar në NATO që nga fundi i Luftës së Ftohtë në fillim të viteve 1990.

Tensionet mbeten të larta mes Rusisë dhe Perëndimit me frikën se Moska mund të planifikojë të pushtojë Ukrainën.

Mbi 100,000 trupa ruse janë grumbulluar pranë kufijve të Ukrainës, sipas shefit të NATO-s, Stoltenberg.

Kremlini ka mohuar pretendimet për nisjen e një inkursioni dhe nga ana tjetër akuzon NATO-n për nxitje të tensioneve duke zhvendosur forcat drejt krahut lindor të aleancës që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme