Stuart Peach i dërguari i posaçëm britanik për Ballkanin Perëndimor

Stuart Peach u emërua i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe prosperitet në rajon, sipas BBC.
Stuart Peach do të marrë rolin pas dorëheqjes si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në fillim të këtij viti, një rol që ai e mbajti që nga viti 2018.
Më parë ai ka shërbyer edhe si shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë britanike.
Si i dërguar i posaçëm i kryeministrit Johnson, ai do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal, për promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, dhe për nxitjen e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara si krimet e luftës dhe personat e zhdukur.
Në Bosnje-Hercegovinë, puna e Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të MB.
Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE.
Përfaqësuesi i Lartë ka paralajmëruar se Bosnje-Hercegovina aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial në periudhën e saj të pasluftës dhe se ka një perspektivë reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.
Mbretëria e Bashkuar po ndihmon gjithashtu në adresimin e sfidave të tjera rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe luftën kundër grupeve të krimit të organizuar.
”Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë evropiane. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e tyre në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur arritjet përmes paqes dhe dialogut. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon të rëndësishëm”, tha për këtë rast kryeministri britanik, Boris Johnson./ATSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




