Stuhi në Britaninë e Madhe, lëshohet “alarm i kuq”

Në Uells dhe Anglinë jugore është lëshuar “alarm i kuq” i rrallë i motit pasi stuhia Eunice me erëra të forta goditi Britaninë e Madhe. Alarmi nga Zyra Meteorologjike, që ishte në fuqi për disa pjesë të Uellsit, përfshirë kryeqytetin Cardiff, tani është shtrirë edhe në disa pjesë të Anglisë jugore, përfshirë Londrën.
Autoritetet paralajmëruan banorët e Uellsit dhe Anglisë jugore të qëndrojnë brenda pasi erërat do të arrijnë shpejtësinë deri në 144 kilometra në orë. Sipas Zyrës Meteorologjike, stuhia mund të shkaktojë “dëme të konsiderueshme dhe kushte të rrezikshme për shkak të erërave jashtëzakonisht të forta”.
Stuhia Eunice tashmë ka shkaktuar ndërprerje të udhëtimit pasi shumë linja treni janë goditur rëndë. Disa operatorë u kanë kërkuar njerëzve të udhëtojnë të shtunën, ndërsa disa aeroporte u kërkuan pasagjerëve që të kontrollojnë orarin e fluturimit paraprakisht. Qindra shtëpi kanë mbetur pa energji për shkak të dëmtimeve nga erërat e forta në zonën Cornëall. Shumë shkolla në të gjithë Uellsin gjithashtu janë mbyllur dhe nxënësve u është kërkuar të qëndrojnë brenda.
Disa nga atraksionet kryesore, përfshirë Syrin e Londrës, Kopshtet Botanike Mbretërore etj do të jenë të mbyllura gjatë ditës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




