Sulmet kibernetike, Rama për ”The Washington Post”: Pse Irani përzgjodhi Shqipërinë, dështimi për të shkatërruar infrastrukturën

Vendimi historik i Shqipërisë i marrë këtë muaj, për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për një sulm kibernetik masiv gjatë verës, filloi pas një hetimi të nivelit të lartë, tha kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për gazetën e njohur amerikane ”The Washington Post”, të realizuar nga analisti Tim Starks.
FBI dhe një ekip nga Microsoft punuan me ekspertë shqiptarë, si dhe të tjerë, për të identifikuar katër grupe të veçanta hakerimi që dihet se sponsorizohen nga qeveria iraniane, jashtë Ministrisë së saj të Inteligjencës. Kryeministri Edi Rama tha këtë fundjavë gjatë një interviste, se njëri prej tyre ishte “në mesin e 10 grupeve më të mëdha të terrorizmit kibernetik, gjurmët e të cilëve janë zbuluar gjithashtu pas sulmeve ndaj Arabisë Saudite, Izraelit e kështu me radhë”.
Hakerat që sulmuan në korrik, tha ai, ishin të prirur për shkatërrimin e shërbimeve qeveritare, 95 për qind e të cilave në Shqipëri janë të disponueshme online, pasi radhët e gjata më parë detyronin disa njerëz të prisnin me muaj për licencat dhe certifikatat.
“Në bazë të hetimeve, shkalla e sulmit ishte e tillë që synonte shkatërrimin e plotë të infrastrukturës sonë për të na çuar në epokën e plotë të letrës, si dhe, në të njëjtën kohë, zhdukjen e të gjitha të dhënave tona”, tha Rama.
“Së pari ata nuk i’a dolën të shkatërrojnë infrastrukturën. Shërbimet janë kthyer. Së dyti, të dhënat. Po, ata morën disa, por praktikisht jo me ndonjë rëndësi të veçantë.” Një grup që e quan veten Homeland Justice, mori përsipër sulmin, me sa duket si reagim që Shqipëria pret anëtarët e grupit disident iranian Mujahedeen-e-Khalq, ose MEK. Rama nuk i’u vuri emër katër grupeve që hetimi i cilësoi si përgjegjës.
Kur Shqipëria urdhëroi dëbimin e diplomatëve iranianë dhe ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike, disa e përshëndetën atë, si ndoshta veprimi më i fortë që një komb kishte ndërmarrë ndonjëherë në përgjigje të një sulmi kibernetik.
Por disa pyetën nëse modeli do të funksiononte për vendet e tjera, duke pasur parasysh se disa nga lojtarët më të mëdhenj në hapësirën kibernetike, si Kina, do të ishte më e vështirë të mbeteshin jashtë.
Shqipëria nuk është se kishte një marrëdhënie kuptimplote me Iranin, tha Rama, kështu që shkëputja nuk ishte një humbje e madhe. “Vende të tjera mund të jenë në gjendje të përdorin qasjen që ka bërë Shqipëria, në varësi nga tërësia e çdo hetimi, në mënyrë që të ndihen të sigurt në dëbimin e diplomatëve, dhe më pas nga shkalla e dëmtimit që shkaktojnë sulmet”- tha Rama.
”Falë Zotit, goditjet nuk janë të dukshme, plagët nuk janë fizike, por gjithsesi mbetet një agresion, një sulm dhe një dëm i drejtpërdrejtë për sovranitetin kombëtar… A do t’i ruanit ju marrëdhëniet me një vend që ju sulmon?”, pyet ai.
Irani ka mohuar përgjegjësinë për sulmin dhe ka dënuar reagimin e Shqipërisë.
Fjalimi në OKB Rama bisedoi me mua pas fjalimit të tij në Kombet e Bashkuara. Atje, ai kritikoi luftën e Rusisë në Ukrainë dhe dënoi një rezolutë të Këshillit të Evropës të vitit 2011, që përmendte akuzat për marrjen e organeve shqiptare gjatë luftës së viteve 1990 në Kosovë, pretendim që Rama tha se përbënte “një nga rastet më të këqija të realitetit të shtrembëruar” dhe për të cilin “nuk u gjet asnjë provë”.
Ai rekomandoi që Kombet e Bashkuara të ndërmarrin veprime të mëtejshme në hapësirën kibernetike. “I bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara, përfshirë Këshillin e Sigurimit, të fokusohen më seriozisht dhe më konkretisht në trajtimin e sigurisë kibernetike, duke investuar në parandalimin, si dhe të ndihmojnë të gjitha vendet anëtare të jenë elastike”, tha Rama.
NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë ndihmë për Shqipërinë, më tha ai. Shqipëria kishte punuar për të ndërtuar një mbrojtje më të fortë kundër sulmeve kibernetike përpara korrikut, por ai tha se kërkon kohë dhe shumë para. “NATO dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje që ta përshpejtojnë atë, që nga sulmi i korrikut, si dhe një sulm tjetër pasues nga Irani”,- tha ai.
Hakerët kishin qenë brenda rrjeteve shqiptare për 14 muaj, përpara se të tërhiqnin këmbëzën e sulmeve të tyre, sipas një alarmi që FBI i dha Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës, publikuar javën e kaluar.
Një element i reagimit të Shqipërisë është përballja edhe me kritika. Prokuroria e Tiranës ndaloi mediat të publikojnë disa nga materiale të hakuara, që sulmuesit kanë publikuar. Shoqatat e gazetarisë e kanë dënuar ndalimin.
“Unë mendoj se këto janë vendime të pakuptimta, sepse në fund të fundit, ato nuk funksionojnë, para së gjithash. Prokuroria ka ecur rreptësisht sipas shkronjës së ligjit, por ndërkohë, në epokën e rrjeteve sociale, më mirë të mos ecësh kështu, sepse edhe nëse përpiqesh ta zbatosh nuk ia del”- tha Rama. The Washington Post
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



