Sulmet ndaj Iranit, Pentagoni: Neutralizuam kërcënimin bërthamor, SHBA gati për çdo hakmarrje

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Pentagon se sulmet ajrore të SHBA-së ndaj Iranit kishin për qëllim “degradimin dhe shkatërrimin” e aftësive bërthamore të Teheranit, duke i cilësuar ato si një sukses të plotë pa pasoja për trupat apo civilët.
“Sulmi shkatërroi programin bërthamor iranian,” tha Hegseth, duke shtuar se “shumë presidentë ëndërronin t’i jepnin fund kësaj çështjeje, por vetëm Donald Trump e bëri realitet”.
Sipas tij, operacioni ishte “i guximshëm dhe brilant”, dhe mesazhi i SHBA-ve ishte i qartë “kur Presidenti Trump flet, bota duhet të dëgjojë”.
Ai theksoi se SHBA nuk kërkon luftë, por do të mbrojë veten dhe aleatët me “vendosmëri dhe shpejtësi”.
“Presidenti Trump tha: ‘Jo armë bërthamore’. Ai kërkon paqe dhe Irani duhet të ndjekë atë rrugë”, theksoi Hegseth.
I pyetur për qëllimin e operacionit, ai sqaroi se nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit në Iran, por me neutralizimin e kërcënimeve që vijnë nga programi bërthamor i Teheranit.
“Ky mision nuk kishte dhe nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit. Qëllimi ishte neutralizimi i kërcënimeve ndaj interesave tona kombëtare”, tha ai.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes u shpreh se SHBA mbetet në gatishmëri të lartë për çdo hakmarrje nga Irani.
“Një hakmarrje do të ishte një zgjedhje shumë e dobët për Iranin,” paralajmëroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




