Sulmi i Izraelit ndaj Iranit, Netanjahu: Goditëm objektivat e duhura, nuk pyesim SHBA-në

Lindja e Mesme | 2 vite më parë

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu ka hedhur poshtë pretendimet e mediave se Izraeli ka ndryshuar planet për të goditur objektet energjetike iraniane pas presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Izraeli fillimisht planifikoi të godiste objektet e naftës dhe gazit natyror të Iranit, por ndryshoi planin e tij për t’u fokusuar ekskluzivisht në objektet ushtarake iraniane pas presionit të vazhdueshëm të SHBA.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanjahu e ka mohuar një pretendim të tillë duke e cilësuar si të rremë.

“Izraeli i zgjodhi objektivat para kohe, bazuar në interesat e tij kombëtare, dhe jo bazuar në direktivat amerikane. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë”, thekson në deklaratën e saj, zyra për shtyp e kryeministrit izraelit.

Ndërkaq shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Mariano Grossi ka deklaruar se objektet bërthamore të Iranit nuk u dëmtuan gjatë sulmeve ajrore të Izraelit gjatë natës.

“Objektet bërthamore të Iranit nuk janë prekur. Inspektorët e IAEA janë të sigurt dhe vazhdojnë punën e tyre jetike. Unë bëj thirrje për maturi dhe përmbajtje nga veprimet që mund të rrezikojnë sigurinë dhe sigurinë e materialeve bërthamore dhe të tjera radioaktive”, shkruan Rafael Mariano Grossi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme