Sulmi me dron në Moskë, Zelensky: Lufta po kthehet në territorin e Rusisë

Botë | 3 vite më parë

Presidenti i Ukrainës, Volodymr Zelensky ka paralajmëruar se lufta “po mbërrin” në Rusi, pas një sulmi me dron në orët e para të mëngjesit në kryeqytetin Moskë.

Zelensky tha se sulmet në territorin rus ishin një “proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë” i luftës midis dy vendeve.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se tre dronë ukrainas u rrëzuan të dielën, ndërsa dy goditën shënjestrat. Aeroporti Vnukovo, në jugperëndim të qendrës së Moskës, u mbyll për pak kohë.

Ukraina rrallë merr përgjegjësinë për sulmet brenda Rusisë, por në një fjalim nga qyteti perëndimor i Ukrainës, Ivano-Frankivsk, Zelensky tha se Ukraina po forcohej.

“Sot është dita e 522-të e të ashtuquajturit “Operacion Special Ushtarak”, për të cilin udhëheqja ruse mendoi se do të zgjaste disa javë. Gradualisht, lufta po kthehet në territorin e Rusisë, në qendrat e saj simbolike dhe bazat ushtarake, dhe ky është një proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë”, tha ai.

Moska, e vendosur rreth 500 km nga kufiri ukrainas, është shënjestruar rrallë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Por Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka nisur një seri sulmesh me dronë në territorin e saj në muajt e fundit, duke përfshirë disa në kryeqytet./ BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme