Sulmi ndaj Berishës, Mediu: Ngjarje skandaloze! Tregues që situata në Shqipëri është në duart e dhunës

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë Republikane (PR), Fatmir Mediu ka reaguar në lidhje me incidentin që u regjistrua të martën në protestën e opozitës, ku kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha u godit me grusht në fytyrë.

Në një postim në Facebook, Mediu e konsideron ngjarjen skandaloze dhe, sipas tij, tregues se situata në Shqipëri është në duart e dhunës dhe krimit.

Sipas Mediut, është detyrë e qeverisë për të mos lejuar dhunën dhe të garantojë protestën.

“Sulmi ndaj Berishës është një ngjarje skandaloze e turpshme, që tregon qartë se situata në Shqipëri është në duart e dhunës dhe krimit. Kjo është dhunë mbi lirinë dhe gjithë opozitën , është dhunë mbi shqiptarët të cilët duan një shtet që ti shërbejë qëllimeve të tyre Europiane dhe jo interesave kriminale dhe korruptive. Ky akt sot ditën që mbahet Samiti Europian në Tiranë tregon qartë sa larg Europës jemi realisht prej saj. Gjuha e dhunës kundër opozitës e manifestuar në parlament deri në eleminimin e opozitës, nga Kryeministri dhe qeveria krijon premisa për akte të tilla dhune. Qeveria ka përgjegjësinë dhe detyrën për të mos lejuar dhunën, garantojë protestën, të mos prek opozitën e për më tepër drejtuesin e saj. Nëse trafikantët e drogës bëjnë ligjin në Shqipëri dhe dhunojnë opozitën kjo është përgjegjësi e qeverisë”, shkruan Mediu.

Të martën, teksa iu bashkua protestuesve në marshimin drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Berisha u sulmua nga 31-vjeçari Gert Shehu, i cili e goditi ish-kryeministrin me grusht në fytyrë. Shehu u sulmua më pas nga protestues të tjerë, ndërsa u dërgua te spitali i Traumës për shkak të lëndimeve të marra.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme