Sulmi ndaj patrullës së EULEX, Borrell: BE nuk do t’i tolerojë! Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës

Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, ka reaguar ashpër pas sulmit me bombë ndaj patrullës së EULEX në veri të Kosovës. Në një postim në Twitter, Borrell thekson se BE nuk do të tolerojë të tilla sulme dhe përdorimin e akteve të dhunshme.
Ai bën thirrje që të hiqen “menjëherë” barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës dhe që palët të shmangin përshkallëzimet.
“BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX ose përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet të shmangin përshkallëzimin”, shkruan Borrell.
Një patrullë vëzhguese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, u sulmua me një shok bombë (bombë çorientuese) mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit. Lajmi u bë me dije nga EULEX, që konfirmuan se fatmirësisht asnjë zyrtar i Njësisë Policore nuk është lënduar, teksa i konsideroi sulmet të papranueshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




