Sulmi në Kremlin, Peskov akuzon SHBA-në, Shtëpia e Bardhë: Qesharake, Peskov gënjen

Autoritetet ruse e akuzuan Ukrainën të mërkurën se kishte tentuar ta sulmonte Kremlinin me dy dronë gjatë natës në një përpjekje për ta vrarë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin. Akuza që u mohuan nga Kievi dhe vetë Presidenti ukrainës, Volodomir Zelensky.
Ndërsa këtë të enjte, Kremlini zyrtar akuzat i drejtoi ndaj SHBA-së. “SHBA qëndron pas sulmit ndaj Kremlinit me dy dronë të dërguar nga Ukraina”, kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencia RIA Novosti.
Pas këtyre akuzave reagoi edhe Shhtëpia e Bardhë, që i ka cilësuar “qesharake” pretendimet se Ëashingtoni ndodhet pas sulmeve të kryera me mjete ajrore pa pilot (dronë) ndaj Kremlinit dhe ka theksuar se SHBA-ja nuk ka asnjë përfshirje në këto sulme.
Koordinatori për Komunikime Strategjike i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, lidhur me temën foli në programe të ndryshme ku ai mori pjesë.
Lidhur me deklaratën e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili akuzoi SHBA-në për sulmet e kryera me dronë dhe tha se “vendime të tilla nuk merren në Kiev, por në Uashington”, Kirby tha se Peskov “gënjen”. “Më mënyrë të hapur ky është një pretendim qesharak. SHBA-ja nuk ka asnjë lidhje me këtë”, tha Kirby, duke shtuar se nuk kanë informacion se kush ndodhet pas sulmeve. Duke theksuar se nuk miratojnë sulmet kundrejt liderëve, Kirby tha se nuk mbështesin as sulmet e Ukrainës jashtë territoreve të saj.
Pasi theksoi se SHBA-ja nuk ka ndonjë përfshirje në këtë sulm, ai u shpreh se nuk e dinë “saktësisht” se çfarë ka ndodhur.
Më tej, Kirby theksoi se Ukrainës nuk i diktojnë ndonjë gjë lidhur me operacionet që ajo zhvillon ose teksa mbron veten. Ai shtoi se në këtë luftë “agresori” është Rusia.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




