Sulmi vdekjeprurës në Rafah, Këshilli i Sigurimit do të mblidhet për të diskutuar kërkesën e Algjerisë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë të martën një takim urgjent me kërkesë të Algjerisë, për të diskutuar sulmin izraelit në Rafah, që vrau të paktën 45 civilë në një kamp të palestinezëve të zhvendosur.
Në një deklaratë të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se sulmi kishte vrarë shumë civilë të pafajshëm që kërkonin vetëm strehim nga ky konflikt vdekjeprurës. “Nuk ka vend të sigurt në Gaza. Ky tmerr duhet të ndalet,” tha ai.
Ndërkohë kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu tha se do të vazhdojë luftën kundër Hamasit, pavarësisht se partnerët ndërkombëtarë dënuan ashpër sulmin ajror që mori jetë civilësh palestinezë në Rafah. Duke folur në parlamentin izraelit, Netanyahu tha se sulmi ishte një “aksident tragjik” por shtoi se nuk kishte ndërmend t’i jepte fund luftës përpara se të arrihej çdo qëllim kundër Hamasit.
Fjalimi i tij u ndërpre disa herë nga anëtarët e familjeve të pengjeve të marra nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit, disa prej të cilëve kanë qenë kritikë ndaj Netanjahut pas dështimit për të arritur një marrëveshje për kthimin e të dashurve të tyre. “Në Rafah ne kemi evakuuar tashmë rreth një milion banorë joluftëtarë dhe pavarësisht përpjekjeve tona maksimale për të mos i dëmtuar, fatkeqësisht diçka shkoi keq ” tha ai, duke shtuar se kanë nisur hetimet për ngjarjen.
Organizatat ndërkombëtare dënuan ashpër sulmin e së dielës në Rafah, ndërsa këmbëngulin që Izraeli të respektojë një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ndaljen e menjëhershme të luftimeve në atë rajon. SHBA i quajti pamjet e ngjarjes të trishta, por këmbënguli se Izraeli kishte të drejtë të mbrohej, megjithatë pranoi se ai duhet të marrë çdo masë paraprake të mundshme për të mbrojtur civilët.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




