Tabaku: Buxheti i qeverisë asnjë masë për rritjen e çmimeve, po taksohen qytetarët që të përfitojnë oligarkët

Politikë | 4 vite më parë

Rritja e çmimeve të konsumit, ka qenë sot në qendër të kritikave të deputetes së PD, Jorida Tabaku, ndaj qeverisë dhe buxhetit të paraqitur prej saj në Kuvend. Nëpërmjet një statusi në Facebook, deputetja Tabaku, nënvizon se çdo familje shqiptare po përballet prej mbi një viti me çmime të rritura për çdo produkt të shportës dhe shërbimeve.

Sipas saj, çdo prodhues, fermer, bujk dhe blegtor, ka muaj që po përballet me çmimet e rritura të inputeve bujqësore dhe blegtorale, si rezultat i vendosjes se TVSH për bujqësinë.

“Pra, çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm si qumështi, bulmeti, zarzavatet, frutat dhe mishi do të rriten. Cila është përgjigja e buxhetit për rritjen e çmimeve që çdo ditë diskutohet në tavolinën e familjeve tona çdo vakt?! Asnjë masë reale për krizën dhe asnjë stimul për te nxitur ekonominë, kjo, shtuar rritjen e normës së interesit të borxheve, që janë marrë me taksat e shqiptarëve dhe që vitin tjetër pritet të shkojnë mbi 50 mln euro.”- shkruan Tabaku.

Sipas saj, buxheti qeverisë nuk i përgjigjet këtij shqetësimi, kurse pensionistët që prisnin rritje pensioni, sikundër dhe u qe premtuar, po marrin lëmoshë që ka vlerë më pak se inflacioni.

“Qytetari priste një buxhet që ta ndihmojë për krizën, por po marrin një buxhet që u merr kursimet e jetës: 130 mln euro ekstra barrë fiskale për 95% të qytetarëve, 17 mln euro taksa ekstra për motorin e shoqërisë, shtresën e mesme. Zgjidhja e kësaj qeverie mbetet e njëjtë: takso shqiptarët edhe jepu para oligarkëve. Takso shqiptarët dhe paguaj borxhin me të cilin paguan po oligarkët. Ky sistem i pandershëm i ka kthyer shqiptarët në pagatorët e oligarkëve, ndërsa mazhorancën në taksidarët e këtyre të fundit. Politika fiskale e rilindur është gjoba që çdo shqiptar paguan prej 2013, përditë varfërohen dhe përditë duan të largohen!”- përfundon postimin, Tabaku.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme