Tabaku: Integrimi në BE duhet kthyer në një debat të madh e të hapur kombëtar

Deputetje e PD-së, Jorida Tabaku, në cilësinë e kryetares së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, gjatë veprimtarisë së organizuar nga Kuvendi me temë “Roli i Kuvendit në integrimin evropian të Shqipërisë.”, u shpreh se integrimi duhet kthyer në një debat të madh e të hapur kombëtar.
Sipas saj, Parlamenti ka filluar të duket më mirë kohët e fundit edhe si rezultat i faktit se është hapur për studentë, për shkollat e mesme, për të rinjtë që ta bëjnë pak politikën më të thjeshtë për ju dhe të mos u dukemi gogolët që vetëm zihemi dhe debatojmë me njëri-tjetrin.
“Unë besoj, se i bën mirë procesit të integrimit një debat i hapur me të gjitha grupet të interesit, por së dyti i bën edhe politikës në përgjithësi dhe dashamirësisë që ju keni ndaj politikanëve në momente të caktuara”,- tha ajo.
Tabaku e konsideroi 2022 një vit të mirë dhe të jashtëzakonshëm për sa i përket procesit të integrimit, ndonëse ishte një vit i vështirë lufte, por me rezultate konkrete në procesin e integrimit.
“Askush nuk mund ta mendonte që do të kishim kaq shumë rezultate me Presidencën çeke. Sot kemi Shqipërinë që ka filluar negociatat. Kemi filluar procesin screening, kemi një vendim për Kosovën për liberalizimin e vizave. Kemi një vendim për Bosnjën. Pra, kemi një perspektivë komplet tjetër për rajonin dhe BE, Vendet anëtare e kanë kuptuar që sigurisht ka vështirësi në këtë proces për zgjerimin, por nga ana tjetër është më mirë duke e pasur brenda Ballkanin Perëndimor, megjithëse nuk është ende gati, sesa të jetë jashtë”,- tha Tabaku.
Sipas saj, nuk ka asnjë dilemë për Shqipërinë dhe shqiptarët se ku është e ardhmja e jonë, pasi kemi patur mbështetjen më të madhe financiare pikërisht nga Komisioni Evropian, por njëkohësisht nga vende të veçanta anëtare.
“Në debatin dhe në sherrin tonë të përditshëm, kemi ndikuar dhe ne të gjithë që ky proces të zgjatet e të shtyhet. Sigurisht ata që e kanë në dorë, qeveria duhet me patjetër që këtë proces sot ta kthejë në një debat të madh e të hapur kombëtar. Siç thuhet në raportet e studiuesve, integrimi është monopol i politikës dhe procesi i integrimit nuk është akoma procesi i qytetarëve, e duhet të jetë procesi i qytetareve. Unë do të bëj të pamundurën ta kthej këtë në një debat të hapur publik, po këtë së pari duhet ta bëjë qeveria. Të zgjerojmë procesin duke futur jo vetëm universitetet publike e private, shoqatat, grupet e interesit në mënyrë që edhe pranimi i rezultateve gjatë negociatave, pozicionet negociuese të jenë të pranueshme për të gjithë në fund të këtij procesi. Unë mendoj se kemi potencial të jashtëzakonshëm për të përfshirë”,- tha Tabaku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




