Tabaku- Ramës: Patronazhistët, një histori kriminale e PS-së në zgjedhje

Politikë | 4 vite më parë

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar me rastin e 31 vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Ajo ka replikuar me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me një falenderim që ky i fundit bëri për patronazhistët e PS-së.

Deputetja e PD komenton se patronazhistët nuk janë një sukses, por një krim me anë të cilit krenohen fajtorët. Sipas Tabakut, publikimi i databazave mbetet një ndër krimet më të mëdha elektorale në vend.

“Përdorimi i të dhënave personale nga PS për qëllime elektorale përveçse është shkelje e qartë e të drejtave të njeriut edhe çdo gërmë dhe frymës së kushtetutës. Mbetet një nga krimet më të mëdha në vend sidomos përdorimi i të gjithë informacionit shtetëror për të vendosur nën presion votuesit, për të kërcënuar bizneset dhe kjo solli deformimin e votës dhe rezultatit të 25 prillit 2021!”, shkruan Tabaku.

Sipas saj, ende sot subjekti përgjegjës, Partia Socialiste, nuk është vendosur përpara drejtësisë, por nga ana tjetër padrejtësisht sulmohet media që vuri në pah skandalin!

“Një metodë antiligjore dhe antikushtetuese ka njollosur proçesin demokratik të zgjedhjeve, ka promovuar pandëshkueshmërinë edhe jo vetëm! Tanimë procesi integrimit komplikohet sepse akuzat e deridjeshme janë fakte! Databaza e pagave dhe ajo e targave ishin qershia mbi tortë e të dhënave personale që keqpërdoren sistematikisht nga PS dhe që përbëjnë një nga shkeljet më të mëdha të demokracisë dhe privacisë që për këdo është e shenjtë!”- shkruan Tabaku në rrjetet sociale.

/rtsh.al/

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme