Tafani: Nëse ngushtica e Hormuzit mbetet nën kontrollin e Iranit, kjo do të jetë katastrofë për Trump
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Endri Tafani, i ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, shprehu shqetësimin se zhvillimet në Iran kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë globale dhe tregjet ndërkombëtare.
Sipas tij, çdo përshkallëzim i situatës sjell pasoja të menjëhershme sikurse rritja e çmimeve të naftës dhe energjisë, të cilat më pas do të ndikojë, sipas tij, edhe te produktet ushqimore dhe industriale.
“Të gjithë po e vuajnë këtë situatë. Pavarësisht nëse ndërhyrja në Iran ishte e drejtë apo jo, rezultati është se ka një farë krize ekonomike, me çmimin e naftës të rritur, çmimin e energjisë të rritur dhe më vonë edhe të produkteve ushqimore dhe industriale. Kështu që nuk ka faj as Europa dhe as Trump; rezultati është që e gjithë bota po vuan nga ky veprim i Trump.” u shpreh Tafani.
Ai shtoi se situata aktuale po krijon një krizë të re globale ndërsa nënvizon se nëse “ngushtica e Hormuzit mbetet nën kontrollin e Iranit, do të ishte një katastrofë “
“Me atë që ndodhi në Iran po krijohet një luftë e re. Kur të përfundojë, do të shohim kush janë fituesit dhe humbësit. Por ajo që mund të themi tani është se nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet nën kontrollin e Iranit, kjo do të ishte një katastrofë për Trump personalisht, për Shtetet e Bashkuara dhe për rendin botëror,” tha ai.
/rtsh.al/.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



