Takim Erdogan–Mitsotakis në Ankara- Diskutime për Egjeun, Mesdheun dhe bashkëpunimin dypalësh

Botë | 9 muaj më parë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, priti në Ankara kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, në takimin e tyre të parë pas gati dy vitesh.

Vizita u zhvillua në Kompleksin Presidencial dhe u pasua nga mbledhja e gjashtë e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes dy vendeve. Pas bisedimeve kokë më kokë, delegacionet zhvilluan diskutime të zgjeruara për çështjet kryesore dypalëshe.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Erdogan theksoi se u trajtuan hapur dhe sinqerisht temat e ndjeshme të Egjeut dhe Mesdheut Lindor. Ai deklaroi se, megjithëse këto çështje janë komplekse, ato nuk janë të pazgjidhshme. “Ajo që nevojitet është vullneti i mirë, dialogu konstruktiv dhe dëshira për zgjidhje. Unë dhe miku im i dashur Kyriakos biem dakord për këtë”, u shpreh presidenti turk.

Erdogan kujtoi edhe vizitën e tij në Athinë në dhjetor të vitit 2023, që sipas tij hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Gjatë asaj vizite u nënshkrua Deklarata e Athinës për Marrëdhënie Miqësore dhe Fqinjësi të Mirë. Dokumenti synon forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Presidenti turk tha se që prej asaj kohe është shënuar progres në disa sektorë.

Ai shtoi se i njëjti vrull mund të shfrytëzohet edhe për zgjidhjen e çështjeve në Egje. Takimi në Ankara shihet si një hap i ri për uljen e tensioneve dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy fqinjëve dhe aleatëve në NATO.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme