Takimi Macron-Xi, Kremlini dyshon se Kina do të ndryshojë qëndrimin ndaj konfliktit në Ukrainë

Botë | 4 vite më parë

Kremlini tha se ka ndjekur “bisedimet e rëndësishme” ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping, atij francez Emmanuel Macron dhe shefes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por dyshon se Kina, nën presionin e jashtëm, do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj konfliktit në Ukrainë. 

Më herët, Kina ka propozuar një “plan të paqes”, por Ukraina dhe disa liderë perëndimorë mbeten skeptikë për marrëdhëniet e ngushta të Xi me presidentin rus Vladimir Putin. 

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas bisedës, Xi shprehu gatishmërinë e tij për të folur drejtpërdrejt me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa Macron tha se i bëri thirrje Pekinit që “ta bëjë Rusinë të kuptojë”.  

Ndërkaq, nga Stambolli ku zhvilloi një vizitë zyratare, Ministri Jashtëm rus , Sergey Lavrov, tha se Perëndimi “nuk po e fsheh” se Kina është “objektivi i radhës” pas Rusisë, si dhe çdo vend tjetër që “merr guximin të veprojë në mënyrë të pavarur”. 

Moska dëshiron që çdo bisedim paqeje në Ukrainë të fokusohet në krijimin e një “rendi të ri botëror”, citon agjencia franceze e lajmeve (AFP) të ketë thënë Lavrov. Sipas AFP, ai shtoi se Rusia po kundërshton një “rend botëror unipolar të udhëhequr nga “një hegjemon”. Lavrov tha se deklaratat e vendeve perëndimore se “nuk është koha për të shpallur një armëpushim”, si dhe furnizimet e Kievit me armë, tregojnë se ata nuk duan të zgjidhin konfliktin e Ukrainës.

/ rtsh /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme