Takimi me Iranin në Zvicër, Vance: Historik, shohim një të ardhme me paqe dhe bashkëpunim

Botë | 4 muaj më parë

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, e ka përshkruar si “historik” takimin me delegacionin iranian të zhvilluar në Zvicër, duke deklaruar se palët kanë bërë përparim të rëndësishëm në orët e fundit të negociatave.

Sipas tij, ky është niveli më i lartë i kontakteve mes udhëheqjes amerikane dhe iraniane në vitet e fundit, duke shtuar se bisedimet synojnë përmes diplomacisë dhe bashkëpunimit të “transformojnë Lindjen e Mesme”.

“Ne kemi bërë tashmë përparim të madh në orët e fundit. Me përjashtim të disa muajve të fundit, kurrë më parë udhëheqja iraniane dhe ajo amerikane nuk janë takuar në një nivel kaq të lartë. Negociatorët amerikanë janë në Zvicër për të transformuar Lindjen e Mesme përmes diplomacisë dhe bashkëpunimit, ku Irani dhe Gjiri janë në konflikt me njëri-tjetrin Ne shohim një të ardhme ku të gjithë mund të punojnë së bashku për të promovuar paqen dhe prosperitetin për të gjithë”, theksoi ai.

Vance theksoi gjithashtu se administrata amerikane synon të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Iranin, nëse Teherani heq dorë nga, siç u shpreh ai, “paqëndrueshmëria rajonale” dhe ambiciet për armë bërthamore.

“Ajo që presidenti na ka kërkuar të bëjmë është të hapim horizonte të reja për të transformuar marrëdhënien tonë me popullin e Iranit… nëse udhëheqja iraniane është e gatshme të heqë dorë nga roli i saj si forcë e paqëndrueshmërisë rajonale dhe ambiciet bërthamore, atëherë SHBA është e gatshme të transformojë rrënjësisht marrëdhëniet”, u shpreh ai.

Duke folur edhe për zhvillimet në Liban, Vance tha se situata mbetet komplekse, por shtoi se presidenti amerikan synon një armëpushim të plotë në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme