Takimi me Kim, Gjiknuri: Partitë politike të mos përfshihen në financime! Kryemadhi: Emergjente ngritja e barrierave

Politikë | 4 vite më parë

Ka përfunduar takimi në KQZ mes Ambasadores amerikane Yuri Kim, kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, ish-kryetares së LSI, Monika Kryemadhit, deputetes së PD Jorida Tabaku dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri. Ky i fundit në një dalje për media ka zbardhur detaje nga takimi, ku ka bërë me dije se në fokus të diskutimit ishte nevoja për reformimin e partive politike. Gjiknuri theksoi se SHBA është e shqetësuar për përfshirjen e influencave të huaja te partitë politike shqiptare.

“Jemi të angazhuar ndaj çdo lloj akti që tashmë disa prej tyre janë bërë publike, siç është ai i Komunitetit të Inteligjencës. Duhet të marrim shembull se si ne partitë politike të mos përfshihemi në këto financime. Këto janë gjera teknike që do i bëjmë në vijim. Do të forcohen dispozitat për fushatën zgjedhore. Fokusi ishte shqetësimi që kanë aleati jonë, SHBA për përfshirjen e influencave të huaja, kryesisht ruse, në partitë politike, por dhe organizmave mediatike. Nuk ishte biseda teknike, apo masat që do merren. U transmetua shqetësimi që u nis nga raporti i fundit. Këto shqetësime janë reale që këto gjëra mos të përsëriten në të ardhmen”, tha Gjiknuri.

Duke qenë se SHBA prentendon se Rusia ka financuar 500 mijë dollarë Partinë Demokratike gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, deputetja demokrate Jorida Tabaku përsëriti nevojën për reformimin e partive politike, ndërsa shtoi se partitë politike duhet të qëndrojnë larg influencave kineze, ruse dhe iraniane.

“U diskutua gjerësisht për nevojën e reformimit të partive politike, të financimit të partive politike jo vetëm si kriter për procesin e integrimit evropian, por si një element shumë I rëndësishëm për të bërë transparencë dhe për të qenë larg influencës që nuk duhet ti harrojmë që ekzistojnë nga Kina, Rusia apo Irani”, tha Tabaku.

Ish-kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se në takimin e mbajtur në ambientet e KQZ nuk u përmend asnjë emër konkret për financimet e huaja te partitë politike shqiptare. Duke vlerësuar si mjaft të frytshëm këtë takim, Kryemadhi theksoi se bashkëpunimet do të vazhdojnë.

“Financimet ruse në të gjithë jetën politike dhe ekonomike sidomos në rajon normal që është bërë emergjente ngritja e barrierave e këtyre financimeve ruse. Mendoj që kjo gjë është ajo që ne kemi ngritur me kohë unë kam 6 vite që e them për prezencën ruse në Shqipëri. Megjithatë më mirë vonë sesa kurrë, sa i përket financimeve mendoj se ka ardhur koha që të marrin eksperiencën e LSI—së të dalin nëpër media e të bëhen publike. Ligji për financimin e  partive politike ka nevojë për rishikim dhe rishqyrtim. Sepse duke e bërë burokratike stimulojmë paratë e pista që vijnë në mënyrë të fshehur. E përgëzoj takimin me ambasadoren e SHBA-ve, mendoj se bashkëpunimi ynë të vazhdojë më tutje. Takimi nuk përmendi emra, di të them që ka një proces që duhet të hetohet, të dini që asgjë nuk rri pa dalë, kush e ka gëlltitur lugën e çorbës të prishur ka për të vjellë gjithë jetën”, tha Kryemadhi.

Shqetësimi i SHBA ndaj infuencës ruse te partitë politike është përsëritur në media edhe nga Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

“Përcollën shqetësim që të rrisin vëmendjen dhe çfarë është në fuqinë e tyre për të bërë më mirë që paratë dhe financimet e huaja dhe jo vetëm ato ruse të mos kenë ndikim në politikën shqiptare. Ajo që mund të thuhet është se ka nevojë të kuadrit ligjor që KQZ t’i japin mundësi praktike të hetojnë m thellë me sasinë e parave nga pikëpamja administrative, nga i marrin, si i përdorin, kjo është evidente ndoshta. Një lloj informimi dhe përcjellja e një shqetësimi, nuk u bën diskutime, ata si përfaqësues të PD konfirmojnë nevojën për ta qasur nga pikëpamja rregullatore, në vijim do ketë ndryshime”, tha Celibashi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme