Takimi me Kim, Shalsi dhe Koti: Ambasadorja vuri theksin te nevoja për reforma më agresive dhe financimi i tyre

Politikë | 4 vite më parë

Deputetja demokrate, Sorina Koti në një prononcim për media ka zbardhur takimin që ka zhvilluar me Ambasadoren amerikane Yuri Kim, ku të pranishëm kanë qenë dhe deputetë të tjerë të Komisionit të Ekonomisë.

Gjatë takimit, ambasadorja Kim ka vënë theksin te nevoja për reforma më të thella në luftën kundër korrupsionit. Koti bëri me dije se gjatë takimit e ka vënë në dijeni ambasadoren Kim se qeveria mban peshën më të madh në këtë aspekt.

“Ambasadorja theksoi se reformat duhet të jenë akoma më të thella, më agresive dhe personat që duhet të shkojnë në burg, një ditë do të shkojnë në burg. Ajo që cilësova është që pjesa e qeverisjes është ajo që mban peshën më të madhe në këtë gjë. Opozita është denoncuese, është në terren, është me qytetarët, por nuk mund të mbajë kurrë përgjegjësinë pse nuk po funksionin shteti i të drejtës apo institucionet publike.

Kjo ishte ajo që unë raportova tek ambasada amerikane. Por mbi të gjitha është bashkëpunimi me ndërkombëtarët sepse shqiptarët duan shpresë. Dhe shpresoj se nëse do të ketë dëshirë dhe politikanët do të jenë të ndershëm ashtu siç e kërkojnë të gjithë votuesit dhe ne që i përfaqësojmë ata, mendoj se jemi në rrugën e duhur”, tha Koti.

Edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi u shpreh se fokusi i bisedave ishte mbështetja financiare për reformat.

“Patëm një bisedë konstruktive dhe e vura në dijeni mbi prioritetet e komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Ku prioriteti numër 1 do jetë diskutimi intensiv për buxhetin e vitit 2023. Komisioni ynë mbikëqyr dhe monitoron Autoritetin e Konkurrencës. Natyrisht që tema e diskutimit ishte dhe mbështetja financiare për reformat që duhet të vijojnë mbi të gjitha të asaj të reformës në Drejtësi. Mazhoranca si nismëtare e reformës në Drejtësi është e interesuar të shohë një sistem akoma më efikas”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme