Të shohësh me zë – Instituti i nxënësve që nuk shikojnë kthehet në qendër burimore | Speciale

Sociale | 3 vite më parë

 
Stivi është një prej nxënësve që shkojnë çdo ditë për të mësuar në Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë. 

Mungesa e shikimit jo vetëm që nuk ia ka zbehur dëshirën për basketboll, por i ka shtuar ambicjen për të shënuar saktë. Pranë tij qëndron vazhdimisht, mësuesja e edukimit fizik dhe orientimit, Lozana Doka.

“Ne orientojmë nxënësit për mënyrën si të ecin, si të orientohemi me objekte të ndryshme. Vështirësi hasim por me kalimin e kohës ne jemi mësuar” thotë Lozana.

Instituti “Ramazan Kabashi”  është institucion shtetëror me konvikt për nxënësit nga rrethet, ku shërbimi 24 orësh mbulohet nga një staf i kualifikuar. Drejtuesi i shkollës, Emiliano Lule rrëfen si është  një ditë e zakonshme. 

“Në mëngjës shkojnë në shkollë si fëmijët e tjerë me të njëjtën literaturë dhe kurrikul, dhe pastaj pushim i drekës dhe gjatë pasdites kanë studimin. Stafi është i ndarë në mësues, ndihmës mësues dhe kujdestares gjatë ditës dhe natës në funksion të fëmijëve. Kjo shkollë funksionon si një familje e madhe, ka fëmijë të cilët rriten, edukohen dhe jetojnë. Në moshën 5 vjeç që të mësohen gradualisht  me gjithçka veçanërisht me qëndrimin në konvikte. Ata mund të largohen çdo fundjavë ose të qëndrojnë në konvikte. Sa më të vegjël janë fëmijët ne si staf ngulmojmë që fëmijët të shkojnë çdo fundjavë në familje sepse harmonia e familjes është e pazëvendësueshme” tha drejtori Lule.

Shkëputja nga familja veçanërisht për mè tè vegjëlit është një nga sfidat më të mëdha për kujdestaret. Me një buzëqeshje të qëndisur në portret, kujdestare Rukena Ozaj i quan fëmijët,  familja e saj . 

” Unë kam studiuar për psikologji dhe që në fëmijëri të hershme duke patur dhe njerëz në familje që kanë patur probleme me shëndetin me problemin e shikimit dmth që është diçka njerëzore. Ne merremi me fëmijët për çdo gjë që ata kanë nevojë. Mëngjesi, kujdesi, veshja,ndihmesa në të veshur, në cdo gjë ata kanë nevojë. Fëmijët në konvikt janë parësorët“ thotë ajo.

Nxënësit punojnë me programin e shkollave 9–vjeçare të zakonshme duke shtuar lëndët speciale, siç është mësimi i shkrimit Brail. 

Panajota Nasi, një mësuese me përvojë thotë se qëllimi kryesor është pavarësia e fëmijëve në përditshmëri, ndërsa nuk nguron të shprehi një kërkesë për prindërit që hezitojnë të sjellin fëmijët në këtë shkollë.  

“Janë dy forma, shkrimi i zgjeruar dhe shkrimi brajl. Faza më e vështirë është kur vijnë për herë të parë që janë fëmijët e parashkollorit. Jemi njësoj si gjithë të tjerët veçse lexojmë dhe shkruajmë ndryshe. Këtu punohet që fëmijët të arrijnë të jenë të pavarur në të përditshmen e tyre. Ju bën thirrje prindërve që të sjellin fëmijët në institut pasi këtu i gjithë stafi është i specializuar i vetmi në Shqipëri” spjegon mësuesja. 

Së shpejti , Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë dhe nuk Dëgjojnë do të kthehen në Qendër Burimore. Drejtori Emilano Lule spjegon. 
„Nxënësit do të ndihmohen në tre pika: librat Brajl, librat auto dhe trajnimi i mësuesve ndihmës për këtë katëgori nxënësish. Do të mbyllet para vitit të ri të ardhshëm akademik. Qendra burimore tenton të shkojë brënda këtij modeli, të mos shkëpusë fëmijët nga familja dhe tjua dërgojë trajtimin special aty ku ata jetojnë. Bashkitë në rrethe janë komunikimi kryesor ku prindërit njoftohen për institutin. Qendra burimore do ti furnizojë këta fëmijë deri në moshën 18 vjeç kudoqofshin. Shumica shkojnë në gjimnaze, ata me prirje të vecanta në Liceun Artistik sepse këtu kemi edhe edukimin muzikor. Ata mund të shkollohen më pas kudo pasi kanë marr bazën këtu” tha drejtori Emilano Lule.

Çdo gjë në këtë shkollë është falas, ndërsa për të ngrohur zemrat e fëmijëve në cdo orë të ditës apo natës mendojnë mësueset dhe kujdestaret,  të cilat me krenari e quajne veten MAMA. 

Gazetare Jonela Sagajeva

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme