Tensione në Kuvend, Rama-Berishës: S’i shpëton dot historisë! Ish-kryeministri i shkon përballë, ndërhyn garda

Politikë | 4 vite më parë

Tensione mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha në seancën plenare të kësaj të enjte. Ndërsa diskutohej në lidhje me projektrezolutën e depozituar nga Partia Socialiste kundër raportit të Dick Marty për luftën në Kosovë, kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të opozitës se kishte frikë të denonconte gjenocidin serb.  Kreu i qeverisë iu drejtua Berishës duke i thënë se është “një i shpallur non grata” dhe se historisë nuk i shpëton dot.

“Ju e furnizuat Milloshviçin. Je i padëshirueshëm, ‘non grata’. Ik tani, mbaroi historia jote. Dil nga ana tjetër dhe bëje çorapin çorap. Të vjen historia përpara dhe thotë prit se ‘ti mendon se je për i fortë por historia është më e fortë se kurrë’. Ja ku të vjen historia edhe me raportin e Dick Marty-t. Si nisi kjo punë? Nga Kremlini! Si vazhdoi? Ju na e paskeni votuar. I padëshirueshëm për kë? Për Sllobodanin? Jo për SHBA-të! Partia Demokratike që tani është një tufë varkash druri që vini këtu dhe ju gënjen mendja se përballeni me një anije! Një tufë varkash me lopata jeni. Oqeanin e harruan disa, do harroni edhe Gibraltarin, dhe shumë shpejt do harroni dhe Adriatikun! Të mbyllet kontinenti!”, i tha Rama.

Ish-kryeministri Berisha i shkoi Ramës përballë, duke iu drejtuar me fjalët “frikacak” dhe “i pafytyrë”, ndërsa menjëherë ndërhyri garda.  

“I pafytyrë, s’ke turp, o frikacak. Ty të ka çmendur 7 korriku. Sa i përket arrestimit të Ashim Thaçit, qëndron një trinom: Kremlin, Beograd, Tiranë. Ky e mori e futi Ashim Thaçin në spiralen e ndryshimit të kufijve në Ballkan. Edi Rama në një spirale futi udhëheqjen politike të Kosovës që ndikoi në procesin e arrestimit të tyre. Ky që do të bëhet tani patriot është promotor i arrestimit të udhëheqjes politike të Kosovës”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme