Tensione në Ngushticën e Hormuzit, Trump paralajmëron Iranin: Nëse sulmoni, do hidheni në erë. Teherani: S’ka zgjidhje ushtarake për një krizë politike

Botë | 6 muaj më parë

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re pas shpalljes së operacionit amerikan “Project Freedom” për të liruar anijet e bllokuara në Ngushticën e Hormuzit.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi se forcat amerikane kanë shkatërruar mjete detare dhe dronë iranianë, ndërsa paralajmëroi forcat iraniane se do të “hidheshin në erë nga faqja e Tokës” nëse do të shënjestrojnë anijet amerikane në ngushticë.

Nga ana tjetër, Teherani e ka cilësuar operacionin si “Projekt Bllokadë” dhe ka mohuar pretendimet e Uashingtonit, duke paralajmëruar se nuk ka zgjidhje ushtarake për krizën.

“Ngjarjet në Hormuz e bëjnë të qartë se nuk ka zgjidhje ushtarake për një krizë politike. Ndërsa bisedimet po përparojnë me përpjekjet e Pakistanit, SHBA duhet të jetë e kujdesshme për t’u tërhequr përsëri në katrahurë nga keqdashësit. Po ashtu edhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Projekti Freedom është Projekt pa rrugëdalje”, tha ministri i jashtëm iranian.

Rreth 2,000 anije mbeten të bllokuara në ngushticë, duke paralizuar një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme