Tensionet në veri të Kosovës, Gjermania: Të hiqen barrikadat, presim qasje konstruktive nga Beogradi

Rajon | 4 vite më parë

Ministria e Jashtme gjermane kërkon që barrikadat në veri të Kosovës të çmontohen sa më shpejt dhe që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e tyre. Pas javësh përshkallëzimi në veri të Kosovës, Ministria e Jashtme gjermane tha për “Der Standard” që “barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës, të cilat gjithashtu paraqesin rrezik për sigurinë, duhet të çmontohen sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale tha gjithashtu se “Gjermania është shumë e shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE.

“Është e rëndësishme që serbët e Kosovës të kthehen sa më shpejt në institucionet e Kosovës. Kjo është në interes të popullit. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të pranojë të vendosë në agjendë zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe të rënë dakord në 2013 dhe 2015. Ne mbështesim të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajčák në përpjekjet e tij për të normalizuar përfundimisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si pjesë e dialogut për të ecur përpara”.

Javët e fundit, serbët kanë ngritur barrikada në rrugët në veri të Kosovës. Ndër të tjera ata po protestojnë kundër arrestimit të një punonjësi policie që dyshohet se ka sulmuar një qendër votimi. Të enjten pati edhe një demonstratë në veri të Kosovës, gjatë së cilës u shfaq një flamur i madh serb.

Serbë militantë që ngritën barrikadat dhe organizuan demonstratën i përkasin mbështetësve të partisë Lista Srpska, e cila është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë në Serbi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme