Tensionet në veri të Kosovës, Xhaçka: Dialog me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur zgjidhjen

Qeveria shqiptare ka reaguar sërish për tensionet në veri të Kosovës, nëpërmjet ministres së Punëve të Jashtme dhe të Evropës, Olta Xhaçka.
Sipas saj, situata mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut, pasi mes ushtrive të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë konflikt të armatosur, sepse rrezikon i gjithë rajoni.
Shefja e diplomacisë shqiptare nënvizon se të dy liderët në Serbi dhe Kosovë, duhet të ulen dhe të bisedojnë me SHBA-në dhe BE-në, për të gjetur zgjidhjen, pasi “çdo udhë tjetër është e destinuar të dështojë“.
Xhaçka këmbëngul se as ushtria serbe nuk do të hyjë në “Kosovë”, as ushtria e Kosovës nuk do të hyjë në ndonjë konflikt të armatosur, por e gjitha ka të bëjë me një shfaqje të politikës së brendshme dhe nuk ka të bëjë fare me interesat e njerëzve të zakonshëm.
“Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe duhet të ndalet për hir të gjithë rajonit tonë. Serbia duhet të ndalojë së mbështeturi me arsyetime të pajustifikueshme ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe më në fund të kuptojë se e ashtuquajtura “Kosova & Metohija” ka ikur. Përgjithmonë! Barrikadat nuk mbrojnë asnjë serb në Kosovë, ato vetëm minojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Shqiptarët dhe serbët janë dy nga kombet më të mëdhenj të këtij rajoni dhe ato janë “dënuar” për të gjetur një rrugë të qëndrueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët. Ne u bëjmë thirrje të dy liderëve të ulen dhe të bisedojnë. Ne i bëjmë thirrje BE-së/SHBA-së që të insistojnë në të. Çdo gjë tjetër përveç dialogut është e dënuar të dështojë. Mjerisht!”- shkruan Xhaçka në Twitter.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




