Tentativa për grabitjen e bankës, eksperti Basha: Stafi bankar i trajnuar për të përballuar situata të tilla, reagimi ishte i menjëhershëm

Eksperti i sigurisë, Faik Basha, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, analizoi tentativën e grabitjes së ndodhur një ditë më parë (12 shkurt) në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, ku një 58-vjeçar u arrestua menjëherë pas ngjarjes.
Duke komentuar rastin, eksperti Faik Basha theksoi se bankat janë ndër institucionet me nivelin më të lartë të riskut, pasi në to qarkullojnë shuma të konsiderueshme parash. Për këtë arsye, ato operojnë me protokolle të rrepta sigurie dhe me disa hallka kontrolli, që nga roja në hyrje deri te ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit.
“Bankat hyjnë te institucionet e sigurisë së veçantë që kanë protokolle të rrepta sigurie, kanë disa zinxhirë sigurie të njëpasnjëshme deri sa të shkohet te finalizimi. Një person i thjeshtë, sikurse ai i ditës së djeshme, i cili vetëm nëpërmjet armatimit të rëndë dhe goditjes së deri tani mendohet se ka kryer dhe shkrepje të armës brenda filialit, arriti të dalë deri te dera, por ishin marrë masat që patrulla e parë e policisë të ishte në vendngjarje dhe me shpejtësi brenda protokolleve që kanë këto lloj institucionesh u gjendën dhe forcat e tjera dhe u neutralizua dhe arrestua personi që po tentonte të grabiste.
Bankat janë institucione me risk të lartë pasi janë vendet ku gjenden para me shumicë. Bankat e nivelit të dytë mbledhin para dhe në çdo kohë mund të gjesh para aty”, deklaroi Basha.
Sipas tij, rasti i 12 shkurtit ishte një veprim individual dhe jo një grabitje e mirëorganizuar nga grupe kriminale të strukturuara.
“Krimi i organizuar, grupet e strukturuara, që kanë aftësi dhe mundësi për të kryer një mundësi grabitje, ajo e djeshme ishte një person që kishte ngarkesa psikologjike mendoj, dukej se nuk kishte informacion brenda bankës së sa para ka. Nuk grabitet banka për 10 mln lekë të vjetra.
Grupet të cilët organizojnë grabitjet e bankave kanë informacione që kanë 1 milionë e përtej eurove.
Është risk i lartë. Dje ishte çmenduri e një personi, që për nga rrezikshmëria është më i rrezikshëm se sa grupet e strukturuara kriminale.
Grupet e strukturuara kriminale kanë parësore grabitjen dhe të mos lënë dëme njerëzore sepse e dinë që pasojat do jenë të rënda”, u shpreh Basha.
Ai nënvizoi gjithashtu se reagimi i shpejtë i mekanizmave të sigurisë dhe i policisë tregon se protokollet kanë funksionuar, ndërsa stafi bankar është i trajnuar për të menaxhuar situata të tilla dhe për të garantuar sigurinë e klientëve.
“I pari që reagon është roja e security i cili bën dhe kontrollin fizik të çdo personi dhe nuk është personel i bankës. Ne kemi parë që janë në mosha të mëdha dhe kjo vjen për shkak të pagesave.
Në banka të gjithë punonjësit kanë mbaruar shërbime në ushtri, polici dhe s’kanë më fuqi fizike dhe i kalojnë në banka.
Bankat janë niveli më i lartë i riskut në vend. Protokollet janë të qarta, të rrepta dhe të sigurta.
Dje tregoi që protokollet e tjera të sigurisë kanë funksionuar. Stafi i bankës është i përgatitur për tu vetëmbrojtur dhe për të menaxhuar situata përballë sulmeve”, përfundoi ai.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 11:15, në një filial banke në Rrugën e Kavajës, shtetasi me inicialet B.F. hyri i armatosur në ambientet e institucionit me qëllim grabitjen. Ai qëlloi një herë me armë zjarri në dysheme, duke shkaktuar panik, por pa lënë persona të lënduar. Autori arriti deri në dalje të bankës, ku u neutralizua dhe u vu në pranga nga policia, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




