Tirana dhe Vllaznia, fitues të Kupës së Shqipërisë

Shkodra ka qenë përsëri epiqendra e aktiviteteve të atletikës shqiptare, teksa në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” në fillim të kësaj jave është zhvilluar Kupa e Shqipërisë për të rritur. Vëmendja në këtë aktivitet ishte tek Luiza Gega dhe Franko Burraj, të cilët më pas u shpallën dhe sportistët më të mirë të Kupës së Shqipërisë.
“Qëllimet e mia janë në arenën ndërkombëtare. Sot ishte Kupa e Shqipërisë dhe unë mora pjesë në dy gara, 1500 metra dhe 5000 metra. Sigurisht qëllimi kryesor ishte për t’i dhënë pikët ekipit të Tiranës për të marrë Kupën e Shqipërisë. Ky ishte fokusi kryesor. Unë erdha thjeshtë bëra një stërvitje në stadiumin “Loro Boriçi”, që më pëlqen shumë në fakt”, thotë Luiza Gega.
“Rezultate janë shumë të mira. Premtuese. Kemi garat e ardhshme, Më e afërta është më 1 maj, ku do të tentojmë të jemi pranë rekordit të 100 metërshit”, tregon Franko Burraj.
Tirana për femra dhe Vllaznia për meshkuj ishin dhe fitues të Kupës së Shqipërisë si ekipe. E nëse fitoi Tirana, që ishte në rivalitet me Skënderbeun, kjo ishte meritë e padiskutueshme e Luiza Gegës. Të paktën kjo sipas trajnerit Taulant Stërmasi.
“Erdhëm bëmë një stërvitje të mirë. Besoj se jemi mbi pritshmëritë. Po bëhemi gati për aktivitetet ndërkombëtare, ndërsa më 1 maj jemi në Venecia për 5 kilometra, ku do të tentojmë të thyejmë rekordin kombëtar. E më pas do të shkojmë më 2 qershor në Diamond League të radhës”, bën të ditur për RTSH Sport, Taulant Stërmasi.
Vllaznia, që drejtohet nga kryetrajneri Albert Marashi, si dhe trajnerët Bruno Rrotani, Dorjan Tafa dhe Jetmir Jahaj, vazhdon të marrë trofe. Franko Burraj, Leandro Çardaku, Muhamet Çengeli dhe Kolindo Kiri ishin fitues të vendeve të para. Marashi për RTSH Sport deklaron.
“Të gjithë trajnerët ishin përgatit seriozisht me sportistët e tyre për të dhënë më të mirën e tyre. Unë dua t’i falënderoj trajnerët dhe kolegët e mi Bruno Rrotani, Jetmir Jahaj dhe Dorian Tafa për rezultatet e arritura”, nënvizon Albert Marashi.
Për t’u theksuar është se për të tretin vit me radhë, atleti nga Gjakova e Kosovës, Tirron Manusha, shpallet fitues me Elbasanin.
“Unë kam garuar në dy gara, 1500 dhe 3000 metra. Jam shumë i kënaqur me rezultatet dhe me performancën time në këto gara”, pohon Manusha.
E pas Kupës së Shqipërisë radha do të jetë më 1 maj për mitingun ndërkombëtar të Tivarit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




