Tirana, gati për Challenge Cup

Tirana në volejboll për meshkuj, të hënën pasdite, i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë në Challenge Cup. Bëhet fjalë për ballafaqimin me sllovakët e Rierkerk Kormanos, që do të luhet të mërkurën në ora 19:00 në fushën e kësaj të fundit. Dhe një javë më vonë në sallën olimpike “Feti Borova”. Fituesja e këtij çifti më 8-10 nëntor dhe 15-17 nëntor do të ndeshet me Olimpiakosin e Pireut. Por si vjen Tirana në këtë ballafaqim të parë ndërkombëtar?
“Tirana ka kohë që stërvitet për ta pritur këtë ndeshje, jo si ndeshje e radhës, por si një ndeshje që do performojë jo vetëm volejbollin e Tiranës por edhe volejbollin shqiptarë. Kjo do të thotë që ne i kemi marrë të gjitha masat që të ballafaqohemi me Rierkerk Kormanos në kushte shumë të barabarta”.
Tirana në javën e dytë është mundur nga Erzeni 3-2. Një humbje që ka ardhur nga arsye të tjera dhe jo teknike, por që për Sakon ka vend dhe përmirësime në prag të ballafaqimit me sllovakët
“Ishte ndeshja e dytë e kampionatit, por duhet të kemi të gjithë të qartë që Tirana nuk është vetëm me lojtarë të huaj, të cilët nuk morën pjesë në ndeshjen e djeshme. Unë jo pa qëllim, edhe sikur, unë nuk do i fusja për të parë bazën e skuadrës, që është me lojtarë shqiptarë, të shikoja performancën dhe të shikoja se ku mund të bëjmë rregullime”.
E i pari i bankinës bardheblu i është përgjigjur dhe interesimit të Radio Televizionit Shqiptar për nivelin e kundërshtarit që do të ketë përballë
“Ekipi sllovak është shumë i mirë. Edhe ata janë në fazën e fillimit, kanë zhvilluar dy ndeshjet e para të cilat i kanë humbur. Janë me lojtarë vendas, të gjithë. Kjo na jep mundësinë që të ballafaqohemi denjësisht. Por janë një skuadër e mirë që duhen marrë seriozisht”.
Sa mundësi ka Tirana të kalojë këtë raund, apo dhe të vijojë më tej në Challenge Cup?
“Ne do të shkojmë të luajmë denjësisht. Nuk shkojmë për të performuar, shkojmë për të treguar nivelin e volejbollit shqiptarë. Jo vetëm kaq, me një skuadër si Tirana, me djemë të rinj, të gjatë, me pamje vizive të shkëlqyer, ne trembim çdo skuadër”.
Tirana është e vetmia skuadër e volejbollit shqiptar që përfaqësohet në arenën ndërkombëtare këtë sezon.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




