Tirana gati të mirëpresë sekretarin e Jashtëm britanik, Cameron

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron pritet të zhvillojë të mërkurën një vizitë zyrtare në Tiranë.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se pritja e zotit Cameron nga kryeministri Rama do të bëhet në selinë e qeverisë në orën 12:00, ndërsa të dy do të dalin para medieve në orën 13:00.
Ndërkohë Presidenca ka njoftuar se Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe pritet të takohet me Presidentin Bajram Begaj në ora 14:30.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Cameron do të takohet edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Me rastin e vizitës së sekretarit të jashtëm britanik Tirana është veshur me ngjyrat e flamurit të Britanisë së Madhe.
Një fotografi e madhe që i uron mirëseardhjen Lordit Cameron është vendosur në korpusin qendror të Universitetit të Tiranës.
Sipas ambasadës britanike në Tiranë, “Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit”.

/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




