Tirana pret Konferencën e Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, më 25-26 nëntor. Në fokus partneritetet strategjike dhe investimet

Aktualitet | 41 minuta më parë

Tirana do të jetë mikpritëse e edicionit të dytë të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor (EU-WB6 Investment Forum), që do të zhvillohet më 25 dhe 26 nëntor 2026. Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë të qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, investitorë dhe drejtues biznesesh nga Bashkimi Evropian dhe vendet e rajonit.

Forumi synon të nxisë investime të reja, të forcojë partneritetet strategjike dhe të krijojë mundësi konkrete bashkëpunimi mes bizneseve evropiane dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Në fokus të diskutimeve do të jenë sektorë me potencial të lartë zhvillimi, si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.

Përmes paneleve të nivelit të lartë, takimeve të drejtpërdrejta mes bizneseve (B2B) dhe sesioneve për krijimin e partneriteteve, konferenca synon të kthejë potencialin ekonomik të rajonit në projekte konkrete dhe mundësi të reja investimi.

Organizimi i këtij aktiviteti në Tiranë shihet si një mundësi për promovimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë, forcimin e bashkëpunimit me investitorët evropianë dhe thellimin e integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor me tregun e Bashkimit Evropian.

Kompanitë, investitorët, institucionet dhe aktorët e tjerë të interesuar janë ftuar të marrin pjesë në forum për të eksploruar mundësi të reja investimi dhe bashkëpunimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme