“Tokë e askujt”, ku ka të drejtë Edi Rama dhe ku jo? Flet ministri i Mbrojtjes i Kosovës

Politikë | 3 vite më parë

Kosova ka porositur nga SHBA blerjen e 246 raketave antitank, të tipit Javelin, të cilat përdoren aktualisht nga Ukraina, pas agresionit rus. Por Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, thotë i bindur se blerja e këtij sistemi të sofistikuar nuk është një mesazh për Serbinë, pas rritjes së tensionimit në kufi, që prej vitit të shkuar.

“Sistemi ri raketor antitank shërben që ushtria jonë të jetë e gatshme të zbatojë një nga dy detyrat që ka, mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial. Nuk ka qenë kurrë synim as politik, as ushtarak i Republikës së Kosovës që të zhvillojë invazion ndaj fëinjëve, as ndaj Serbisë në këtë rast. Ndërsa Serbia ka zhvilluar kapacitet sulmuarse ushtarake si psh avionët ushtarakë, helikopterët, raketat sulmuese. Ndërsa kapacitetet tona janë për mbrojtjen e territorit të vendit.” u shpreh ministri Ejup Maqedonci për emisionin “Pa censurë”.

Me një shkollim të avancuar ushtarak në SHBA, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, shpjegon me qartësi se çfarë rreziku sheh nga vendosja e trupave ushtarake serbe pranë kufirit në veri të Kosovës.

“Prezenca ushtrake serbe përgjatë vijës kufitare e mban nën kërcënim Kosovën, ndërsa lejimi dhe mbështetjë e grupeve të armatosura për të zhvilluar aksione terrorriste si i 24 shtatorit përbën rrezikun kryesor për vendin tonë,” tha zoti Maqedonci për emisionin “Pa censurë” në RTSH, ku iu përgjigj edhe pyetjes, nëse qëndron shqetësimi i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama se kufiri në veri nuk ka kontroll të mjaftueshëm dhe është kthyer në tokën e askujt.

“Me të vërtetë, deri para dy viteve mund të cilësohej si toka e askujt  në aspktin e kontrollit. Normalisht, veriu është dhe do të mbetet tokë e Kosovës, por dy vitet e fundit, edhe ajo zonë është kontrolluar nga policia e Kosovës,” u shpreh për RTSH, ministri Maqedonci.

Pjesë nga intervista me ministrin e Mbrojtjes të Kosovës për emisionin “Pa censurë” në RTSH

Elona Meço, RTSH: Si është gjendja e sigurisë në kufirin Kosovë- Serbi? Pse ka kaq shumë shqetësim nga shumë faktorë vendas dhe të huaj?

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës: Shqetësuese është prania e tyre në afërsi të kufirit. Por më shqetësuese është mbështetja që këto baza u bëjnë grupeve të armatosura dhe të veshura me uniformë që në 24 shtator tentuan aneksimin e një pjese të Kosovës. Janë 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe të vendosura në Jug të Serbisë dhe 48 baza përgjatë kufirit me Kosovën. Këtu hyn një grup i armatosur, me uniformë, me arsenal armatimi nga Serbia, pa u vërejtur nga Serbia, hyn, bën agresion në Kosovë, mposhtet nga policia e Kosovës dhe tërhiqet në Serbi pa patur as më të voglin problem. Pra këto baza nuk janë rreziku thelbësor ushtarak në raport me Kosovën, por një element mbështetës për grupet joformale, të armatosura që vazhdojnë të tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Pra, prezenca ushtrake serbe përgjatë vijës kufitare e mban nën kërcënim Kosovën, ndërsa lejimi dhe mbështetjë e grupeve të armatosura për të zhvilluar aksione terrorriste si i 24 shtatorit përbën rrezikun kryesor për vendin tonë. 

Elona Meço, RTSH: Cili është skenari më i keq që ju prisni?

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës: Mundësia e sulmeve nga grupet e armatosura mbetet prezente, siç ishte rati i 24 shtatorit. Arsyeja kryesore është se qeveria e  e Kosovës, më saktë, policia e Kosovës, për herë të parë në këto 25 vite çlirim, ka arritur që të njohë në detaje terrenin në pjesën veriore të vendit dhe të jetë prezent në këtë pjesë. Prania e policisë sonë ka bërë që, nga aktivitete thuajse legale kriminale që zhvillonn në veri të vendit, të detyroheshin të tërhiqeshin  dhe të riorganizoheshin për të kryer aksione, siç ishte ai i 24 shtatorit. Të gjitha këto grupe kanë qenë prezente për një kohë të gjatë dhe 2 vitet e fundit prezenca e tyre është cënuar si pasojë e lëvizjes së policisë dhe vendosjes së rendit dhe ligjit  në pjesën veriore të vendit tonë. Këtu nuk ka të bëjë vetëm me qëllime politike të këtyre grupeve të armatosura. Përvec të tjerash,  hyn dhe aspekti kriminal. Këto grupe kanë pëfituar nga situata jo stabile në veri të vendit, duke gjeneruar të mira materiale, duke shfrytëzuar kontrabandën dhe aktvitete të ndryshme kriminale  në veri, që synim kanë patur përfitimet, por edhe aspektin e dëmtimit ekonomik të vendit tonë.

Elona Meço, RTSH: Pak muaj më parë, kryeministri Rama deklaroi se për nga mungesa e kontrollit, hyrje-daljeve të lirshme të krimit të organizuar dhe bandave serbe në veri, veriu i Kosovës është kthyer në tokën e askujt, në kuptimin që nuk kishte kontrollin e duhur. Me shtimin e forcave të KFOR-it, ka më shumë kontroll tani pas ngjarjes së Banjskës? Pra, e dini ju se kush hyn e kush del nga kufiri me Serbinë, pasi ju keni dhe një kufi të gjatë me të, rreth 350 km.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës: Me të vërtetë, deri para dy viteve mund të cilësohej si toka e askujt  në aspktin e kontrollit. Normalisht, veriu është dhe do të mbetet tokë e Kosovës, por dy vitet e fundit, edhe ajo zonë është kontrolluar nga policia e Kosovës. Kemi prezencë të shtetit dhe strukturave komunale që janë zgjedhur me votë të lirë të qytetarëve. Kemi patur shtrirje të shtetit në veri. Çështja e kufirit është çështje e ndjeshme dhe kjo nuk vjen si pasojë e pamundësisë së kontrollit tonë, por vjen si pasojë e qasjes agresive dhe armiqësore e Serbisë në raport me territorin e vendit tonë. Në këtë aspekt, ne në Kosovë, kemi një prani ndërkombëtare ushtarake, që është KFOR-i dhe, mes të tjerash, ka mandat edhe frenimin e një pushtimi të mundshëm kundër territorit të Kosovës. Pas datës 24 shtator, KFOR-i ka rritur praninë në patrullimet përgjatë vijës kufitare, ndërsa policia vazhdon të kryejë detyrat për rendin dhe sigurinë në pjesën veriore të vendit tonë, pra në 4 komunat veriore të vendit tonë.

Elona Meço, RTSH: Ka shanse reale që Serbia të bëjë veprime të tilla, si pushtimi, që ju përmendët?

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës: Ndoshta  nuk është shumë i theksuar rreziku i një sulmi konvencional, (pushtim me kapacitete ushtarake), kjo për arsye të pranisë së KFOR-it, pra NATO-s, në vendin tonë, por edhe për arsyen se ne po ndërtojmë kapacitetet mbrojtëse. Ne nuk jemi Kosova e para 10 viteve. Ne kemi një ushtri të përgatitur, të trajnuar, të pajisur dhe gjithmonë të gatshme për të mbrojtur territorin e vendit, gjithmonë në koordinim paraprak me KFOR-in. Megjithatë, Serbia ka vazhduar të zhfrytëzojë gjatë kësaj periudhe edhe mjete të tjera, si lufta hibride, më saktësisht, grupe joformale të mbështetura nga struktura shtetërore për të destabilizuar pjesën veriore të vendit tonë dhe për të krijuar një situatë, ku do t’i mundësonte në një të ardhme edhe pushtim ushtarak të pjesshëm të territorit të Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme