Trafikonin armë nga Kosova drejt Shqipërisë, 2 në pranga, sekuestrohen 3 pistoleta dhe 34 fishekë
Tre pistoleta dhe 34 fishekë janë sekuestruar nga Policia e Durrësit në kuadër të operacionit të koduar “Hallkat”, që synonte goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen e tyre te grupet kriminale në Shqipëri.
Në pranga kanë rënë dy person, M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, që dyshohet se transportonte armët e zjarrit me automjet, ndërsa pasagjerja, D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, u arrestua për moskallëzim të krimit.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin dy të arrestuarit lëviznin në Maminas, policia gjeti dhe sekuestroi 3 pistoleta dhe 34 fishekë, që dyshohet se ishin trafikuar nga Kosova.
Kontrolli vijoi edhe në banesën e 34-vjeçarit, ku u gjet dhe u sekuestrua një dorezë hekuri. Në kuadër të operacionit u sekuestrua gjithashtu edhe automjeti me të cilin transportoheshin armët.
Operacioni “Hallkat” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, pas një pune hetimore dhe operative për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit në Shqipëri.
Sipas policisë, armët dyshohet se trafikoheshin nga Kosova me qëllim shitjen e tyre te grupe kriminale në qytete të ndryshme të vendit. M.B. akuzohet për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa D. N. akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Hetimi vijon për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





