Trafiku i emigrantëve drejt BE-së dhe Britanisë, Gjykata e Posaçme lë në burg 24 të arrestuar

Trafiku i emigrantëve nga Shqipëria, Spanja e më pas me destinacion përfundimtar Britaninë e Madhe, ka lënë në qeli 24 shtetas, të cilët kishin role të ndryshme në operacionet që zhvillonte grupi i strukturuar kriminal, që u prangos së fundmi.
Gjykata e Posaçme, pasi ka vlerësuar kërkesat e SPAK-ut për masat e sigurisë për 32 personat e arrestuar, ka vendosur të lerë në burg 24 persona, për 7 të tjerë u dha masa e sigurisë “arrest shtëpie”, 1 person me “detyrim paraqitje”.
Ata akuzohen nga SPAK-u se në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, janë përfshirë në trafikimin e emigrantëve në drejtim të vendeve të BE-së dhe Britanisë së madhe.
Gjykata ndryshoi masat e sigurisë të kërkuara vetëm për 3 të arrestuar ku njëra është nënë dhe ka një fëmijë 3 muajshe, për të cilën u dha masa “arrest shtëpie”.
Deri më tani janë ekzekutuar 32 masa sigurie, ndërsa pesë persona janë shpallur në kërkim. Mes personave të arrestuar rezulton edhe një punonjës i Policisë së Shtetit, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije.
Si funksiononte grupi?
Grupi funksiononte në mënyrë të koordinuar, ndërsa po ashtu falsifikonin edhe dokumente identifikimi, kryesisht të vendeve të Bashkimit Europian.
Policia sekuestroi 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient të përshtatur për falsifikim të dokumenteve, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumente të tjera me rëndësi për hetimin.
Hetimet janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe autoritetet e Kosovës. SPAK bën me dije se hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Personat e arrestuar:
- Bashkim Sula
- Njazi Ademaj
- Fitim Rama
- Ylli Brahimaj
- Gridi Elezi
- Rrezart Domi
- Osman Luca
- Artur Mici
- Arsen Caka
- Adrian Mema
- Maksim Domi
- Jugert Gashi
- Emiljan Marashi
- Roland Islamaj
- Behar Rexha
- Deila Qama
- Arnold Shahu
- Ylli Çaushaj
- Eriola Spaho
- Murat Gjuniku
- Bardhyl Imeri
- Bajram Xhaja
- Fatmir Stankova
- Arben Rushiti
- Leonardo Lama
- Xhelil Alla
Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me Autoritetet Spanjolle, Kosovare dhe nën mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Në interes të hetimeve të këtij procedimi penal, është ngritur një Skuadër e Përbashkët Hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës, Spanjë, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacioneve në kohë reale edhe me autoritetet ligj zbatuese të vendeve të tjera është bërë e mundur identifikimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale të disa grupeve kriminale të lidhura me dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të shtetasve shqiptarë me qëllim udhëtimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, Amerikës dhe Kanadasë.
“Përgjatë hetimeve janë përdorur përveç të tjerave, edhe metodat speciale të hetimit nëpërmjet të cilave është dokumentuar veprimtaria kriminale, e cila ka konsistuar:
– në prodhimin e dokumenteve te falsifikuara të identifikimit, kryesisht të dokumenteve të vendeve të Bashkimit Evropian (pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi e dokumente të tjera), në gjetjen apo ndërmjetësimin e shtetasve shqiptarë që kërkonin për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar, në transportimin e personave ashtu edhe të dokumenteve të falsifikuara kryesisht në shtetin e Spanjës, në akomodimin dhe udhëzimin e këtyre shtetasve mbi itinerarin që do ndiqnin, të realizuar nga dy agjenci udhëtimi deri në vëzhgimin në aeroport të tyre për tu siguruar nëse ata arrestoheshin apo arrinin të largoheshin për në Mbretërinë e Bashkuar.
-në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm nëpërmjet manipulimit të procesit të aplikimeve për viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, nëpërmjet përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, udhëzimit të personave se si të sillen gjatë procesit të intervistave apo në aeroport.”, njoftoi SPAK.
Skema dhe si ishin ndarë rolet
Sipas SPAK, në këtë veprimtari kriminale personat nën hetim sigurojnë proceset e ndryshme të saj, njohin njëri-tjetrin, dhe dinë për rolin e secilit prej tyre, rrethana të cilat të tregojnë se veprimtaria është e paramenduar, e mirë organizuar dhe me detyra dhe role të caktuar, qëllimi i së cilës është përftimi material.
“Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 32 masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që për pesë personat e tjerë nën hetim po bëhen kërkimet përkatëse. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumenteve, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumente të tjera me rëndësi për hetimin. Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.”, informoi SPAK-u.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




