Tragjedia në Turqi, shkon në 9 numri i viktimave. Vendi në zi pas dy sulmeve radhazi

Ka shkuar në 9 numri i viktimave nga sulmet e përgjakshme që kanë tronditur shkollat në Turqi brenda 48 orëve të fundit.
Ngjarja më e rëndë u shënua mesditën e sotme në provincën Kahramanmaras, ku një nxënës i klasës së tetë hapi zjarr ndaj shokëve dhe mësuesve.
“Autori hyri në shkollë me një armë në çantën e shpinës dhe hapi zjarr në dy klasa të ndryshme,” konfirmoi guvernatori Mukerrem Unluer për mediat vendase.
Sulmuesi 13-vjeçar, i cili ishte djali i një ish-oficeri policie, u gjet i vetëvrarë në vendngjarje menjëherë pas masakrës.
Kjo tragjedi pason një tjetër sulm të ngjashëm të ndodhur vetëm një ditë më parë në rajonin e Siverekut, ku u plagosën 16 persona.
Prokuroria ka nisur urgjentisht hetimet, ndërsa Ministri i Drejtësisë premtoi zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij krimi makabër. Ekspertët kanë ngritur alarmin pasi sulme të tilla kanë qenë ekstremisht të rralla në Turqi deri në vitin e kaluar.
Paniku ka përfshirë prindërit në të gjithë vendin, ndërsa masat e sigurisë në institucionet arsimore janë rritur në nivelin maksimal, me shoqërinë turke e cila ka kërkuar përgjigje për këtë valë të paprecedentë dhune.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




