Trajnim për gazetarët në Korçë, fokus te transparenca dhe monitorimi i bashkive

Aktualitet | 7 muaj më parë

Në Korçë u zhvillua një trajnim nga “Faktoje” në bashkëpunim me nismën “Bashki të Forta”, me fokus rritjen e kapaciteteve të gazetarëve lokalë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Aktiviteti synon përmirësimin e aftësive për të monitoruar dhe analizuar të dhënat e performancës së bashkive, si dhe për t’i komunikuar ato në mënyrë të qartë për publikun.

Menaxheri i programit, Daniel Prroni, u shpreh se “Çdo vit dalin raporte të reja dhe ‘Faktoje’ po përpiqet t’i zbërthejë këto raporte, duke i bërë të aksesueshme për gazetarët dhe shoqatat lokale, në mënyrë që të njihen me ndërtimin e tyre, përmbajtjen dhe mënyrat se si mund t’i analizojmë më thellë e t’i përcjellim në publik në gjuhë më të kuptueshme.”

Roli i gazetarëve lokalë mbetet kyç në informimin e qytetarëve dhe në forcimin e transparencës së institucioneve vendore.

“Gazetarët janë ndërmjetësuesit lokalë që kanë aftësi dhe rëndësi në zonat ku banojnë, duke pasur fuqinë për ta përcjellë informacionin që ndonjëherë duket i largët për qytetarët, ose është i pakuptueshëm dhe kompleks.”

Pjesëmarrësit u trajnuan mbi përdorimin e raporteve të performancës, përfituan mentorim profesional dhe mbështetje me të dhëna publike, ndërsa u njohën edhe me mundësinë për të zhvilluar artikuj investigativë.

Gazetare: Eftjola Fili 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme