Trajtimi i nënë Lilianës në QSUT, ndërhyrja e Ministrisë pas rastit të publikuar në media

Nënë Liliana, e cila më parë duhej të udhëtonte çdo ditë nga Elbasani drejt Tiranës për të marrë kujdesin mjekësor, është hospitalizuar që nga dita e sotme në Spitalin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas ministres, reagimi ka ardhur menjëherë pas bërjes publik të rastit në media. Shërbimi Social Shtetëror dhe struktura e QSUT-së janë koordinuar për të siguruar transportin dhe sistemimin e pacientes në spital, ku ajo do të qëndrojë përgjatë gjithë periudhës së trajtimit të përcaktuar nga mjekët specialistë.
Kujdesi mjekësor për kategoritë në nevojë
Ndërhyrja garanton që pacientja të mos përballet me mundimin e udhëtimeve të përditshme vajtje-ardhje ndërmjet Elbasanit dhe kryeqytetit gjatë terapisë onkologjike.
“Asnjë pacient nuk duhet të mbetet pa kujdes për shkak të pamundësive ekonomike apo sociale. Rasti është tashmë në ndjekje dhe kujdesi për pacienten do të vijojë përgjatë gjithë trajtimit të saj.”, shkruan në rrjetet sociale Spahiu, ministre e Shëndetësisë.
Autoritetet mjekësore dhe sociale kanë konfirmuar se rasti do të mbetet nën monitorim të vazhdueshëm deri në përfundimin e plotë të planit të trajtimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




