Tre të arrestuar në Tiranë për armëmbajtje pa leje, policia sekuestron 3 armë dhe mbi 100 fishekë
Tre persona janë arrestuar në Tiranë gjatë 24 orëve të fundit në kuadër të dy operacioneve policore kundër armëmbajtjes pa leje. Gjatë aksioneve, Policia sekuestroi tre armë zjarri dhe mbi 100 fishekë, ndërsa një prej të arrestuarve rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Sipas Policisë së Tiranës, operacionet e koduara “Shenja” dhe “Kodra” u zhvilluan në vijim të kontrolleve për identifikimin dhe ndalimin e personave që posedojnë ose tregtojnë armë zjarri, duke paraqitur rrezik për sigurinë publike.
Në kuadër të operacionit “Shenja”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, arrestuan në Rrugën e Dibrës shtetasit me iniciale Sh. S., 31 vjeç, dhe Sh. Sh., 43 vjeç.
Gjatë kontrollit, 31-vjeçarit iu gjet një pistoletë me municion, ndërsa nga verifikimet rezultoi se 43-vjeçari ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të cilën e kishte shkelur.
Ndërkohë, në operacionin “Kodra”, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan F. H., 69 vjeç, në fshatin Kodër Kashar. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën një pistoletë me municion, një armë gjahu dhe 112 fishekë, të cilat dyshohet se mbaheshin me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të kryejë veprimet e mëtejshme hetimore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



