Tregu i vajit favorizon kulturën e ullirit, në njësinë Kurjan janë mbjellë 6000 rrënjë të reja

Fermerët e Kurjanit janë të njohur për kultivimin e ullirit për vetë kushtet klimatike dhe terrenit kodrinor të kësaj zone.
Sipas statistikave të sektorit të bujqësisë në Bashkise Roskovec, në Njësinë Administrative Kurjan, rreth 70 përqind e fondit të tokës bujqësore është e mbjellë me kulturën e ullirit.
Kjo periudhë e mbjelljeve ka evidentuar interesimin e fermerëve për shtimin e sipërfaqeve me këtë kulturë të nxitur edhe nga çmimi i rritur i vajit ullirit në treg.
Këtë vit vetëm në këtë njësi janë mbjellë 6000 rrënjë ullinj më tepër dhe fermerët po vijojnë mbjelljet dhe shërbimet ndaj kësaj kulture fitimprurese.
Nebi Caushi, një nga fermerët e Kurjanit që zotëron rreth 5000 rrënjë ullinj ka treguar se këtë vit ka një pritshmëri të lartë të prodhimit të ullirit. Në këtë zonë, nuk ka më toka të lira për t’i marrë me qera, pasi po shfrytëzohen nga vetë fermerët për të shtuar sipërfaqet me ullinj.
Kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi është shprehur se sipërfaqja me ullinj ka shënuar rritje në të gjithë territorin e kësaj bashkie.
“Ne kemi pasur një periudhë shumë të mirë, vitin e kaluar të shitjes së vajit të ullirit, fillimisht me një çmim jo shumë të lartë, por që filloi të rritet dukshëm. Kjo ka bërë që fermerët të shtojnë interesin e tyre për të mbjellë tokat e tyre me ullinj”, u shpreh Bufi.
Fermerët kanë rritur jo vetëm sipërfaqet, por edhe kujdesin dhe shërbimet ndaj ullirit pasi është një produkt fitimprurës.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




