Trump para gjyqit, shtohet siguria për godinat shtetërore në Uashington

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, pritet sot të akuzohet zyrtarisht në një seancë dëgjimore për komplotin që synonte të përmbyste rezultatin zgjedhor të vitit 2020. Ai deklarohet i pafajshëm.
Para nisjes së seancës, ish-presidenti kritikoi aktakuzën e publikuar në medie dhe e konsideroi atë dëshmi të “korrupsionit, skandalit dhe dështimit” të Shteteve të Bashkuara nën presidencën e rivalit Joe Biden.
Trump, i cili po përballet edhe me dy raste të tjera penale, vijon fushatën për të fituar nominimin e republikanëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Siguria në Uashington është rritur në prag të nisjes së seancës. Ndërtesa e gjykatës është blinduar me bllokues metalikë. Struktura të tjera metalike janë vënë edhe rreth ndërtesave të Kongresit ku në janar të vitit 2021 mësynë mbështetësit e Trump të zemëruar me rezultatin e zgjedhjeve.
Shërbimi Sekret, i cili ofron mbrojtje për presidentët dhe ish-presidentët, ka njoftuar publikun se mund të ketë bllokim të trafikut në qendër të Uashingtonit.
Që pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Trump ka qenë vetëm një herë në kryeqytetin e SHBA-së.
Gazetar: A.Mata
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




