Trump vendos tarifë prej 100 mijë dollarësh për vizat e punës për punonjës të kualifikuar

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që do të shtojë një tarifë vjetore prej 100,000 dollarësh për aplikantët në programin e vizave H-1B për punëtorë të huaj të kualifikuar.
Urdhri i Trump përmend “abuzimet” ne programin dhe do të kufizojë hyrjen nëse nuk bëhet pagesa.
Kritikët kanë argumentuar prej kohësh se H-1B-të minojnë fuqinë punëtore amerikane, ndërsa mbështetësit, përfshirë miliarderin Elon Musk, argumentojnë se kjo i lejon SHBA-së të tërheqë talentet më të mira nga e gjithë bota.
Në një urdhër tjetër, Trump krijoi një “kartë të artë” të re për të përshpejtuar vizat për emigrantë të caktuar në këmbim të tarifave që fillojnë nga 1 milion paund. Urdhri i Trump do të hyjë në fuqi më 21 shtator. Kompanitë do të duhet të paguajnë të njëjtën shumë për secilin aplikant për gjashtë vjet, tha Sekretari amerikan i Tregtisë Howard Lutnick.
“Kompania duhet të vendosë, a është personi mjaftueshëm i vlefshëm për të pasur një pagesë prej 100,000 dollarësh në vit për qeverinë, ose të shkojnë të punësojnë një amerikan”, tha ai. Që nga viti 2004, numri i aplikimeve H-1B është kufizuar në 85,000 në vit.
Deri më tani, vizat H-1B kanë pasur tarifa të ndryshme administrative që arrijnë në rreth 1,500 dollarë.
Të dhënat nga Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA (USCIS) tregojnë se aplikimet për viza H-1B për vitin e ardhshëm fiskal ranë në rreth 359,000, një nivel më i ulët katërvjeçar.
Përfituesi më i madh i programit vitin e kaluar fiskal ishte Amazon, e ndjekur nga gjigantët e teknologjisë Tata, Microsoft, Meta, Apple dhe Google, sipas statistikave të qeverisë.
Potenciali për kufizime shtesë në programin H-1B ka shkaktuar shqetësim të konsiderueshëm në vende të tilla si India, e cila është deri tani vendi më i madh për aplikime të tilla për viza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





