Tuneli i Llogarasë gati për sezonin veror, Balluku: Mbyllet në tetor për ta përfunduar

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, ka inspektuar këtë të martë (28 maj) punimet në kantierin e Tunelit të Llogarasë. Balluku bëri me dije se tuneli do të hapet gjatë verës, por do të mbyllet sërish në muajin tetor për të bërë të mundur përfundimin e të gjitha detajeve dhe parametrave të tunelit të emergjencës.
Balluku bëri me dije gjithashtu se do të ketë disa risi me qëllim informimin e drejtuesve të mjeteve, një prej të cilave edhe radio e cila do të ketë një frekuencë që do të ndërhyjë çdo herë që do të ketë një aksident.
“Ky është një tunel i gjatësisë së madhe përsa i përket kritereve të BE, është 5.9 km. Përveç këtyre parametrave, duhet të plotësojmë dhe parametrat e sigurisë rrugore.
Kemi pasur gjatë këtyre ditëve një punë intensive për të sjellë disa risi për informimin e drejtuesve të automjeteve. Do ketë radio e cila do ketë një frekuencë e cila do të ndërhyjë çdo herë që do ketë një aksident, po përgatitemi për tabela informuese në akset kryesore.
Tuneli i Llogarasë do hapet për akses të automjeteve, me disa kushte sigurie se do na duhet të vazhdojmë punën në tetor që do mbyllet sërish për t’i dhënë mundësinë të përfundojnë të gjitha detajet edhe ato të parametrave të tunelit të emergjencës”, tha Balluku.
Ministrja deklaroi më tej se Qendra e Monitorimit të Trafikut do jetë gati në 2025 dhe do monitorojë trafikun në gjithë republikën, në gjithë akset kombëtare.
Punimet për tunelin e Llogorasë, me një gjatësi prej afro 6 kilometra, kanë nisur në fund të nëntorit të vitit 2021.
Ky investim kushton rreth 140 milionë euro dhe pritet të shkurtojë distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta që përshkohet aktualisht, në vetëm 7 minuta. Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërinë në një atraksion turistik për vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




