Turi i dëgjesave me fermerët, Ervin Hajdaraga: Skema e naftës do ribëhet, fermerët do përfitojnë 10% të faturës së shitjes
Drejtori i Projekteve në Ministrinë e Bujqësisë, Ervin Hajdaraga, ka bërë të ditur përfundimet e turit kombëtar të dëgjesave me fermerët, i cili u përmbyll dje në Fier. Në një intervistë për emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, ai theksoi se për herë të parë, para hartimit të Skemës Kombëtare 2026, u vendos që të dëgjohen drejtpërdrejt fermerët për të ndërtuar një skemë sipas nevojave të tyre.
“Ne kemi qenë në 24 takime në të gjithë qarqet e vendit. Dje ishte takimi i fundit në qarkun e Fierit. Është një sektor që ka ecur shumë dhe nevojat e tyre kanë evoluar. Nevojat e blegtorëve ishin të shumta dhe sektori i blegtorisë ka nevoja të rëndësishme,” u shpreh Hajdaraga.
Ai nënvizoi se një nga çështjet më të diskutuara ishte skema e naftës, e cila do të rishikohet për shkak të problematikave që fermerët kanë hasur me dokumentacionin për të aplikuar.
“Gjatë takimeve, për skemën e naftës është kërkuar të ndryshohet sepse ka patur disa problematika për fitimin e naftës nga fermerët, çështje dokumentacionesh që nuk i lejonin ata të përfitonin. Ne do ulemi dhe skemën e naftës do ta ribëjmë”, theksoi ai.
Një tjetër element i rëndësishëm i Skemës Kombëtare 2026 është përfitimi i 10% të faturës së shitjes për çdo fermer apo blegtor të regjistruar me NIPT.
“Kemi diskutuar edhe për përfitimin e 10% të faturës së shitjes. Një skemë që këtë vit do të jetë shumë lehtësuese për fermerët. Çdo fermer apo blegtor që ka një sasi të caktuar që do ta tregtojë, pikat e grumbullimit do t’i japin një faturë që duhet ta dorëzojnë te Tatimet për të përfituar 10% të vlerës së shitur. Të gjithë fermerët duhet të jenë të regjistruar të kenë NIPT-in e fermerit në mënyrë që të përfitojnë. Ne i bëjmë këto skema në mënyrë që edhe fermerët t’i formalizojmë sepse të gjitha skemat janë për fermerët e formalizuar”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




