Turistët vlerësojnë shërbimin dhe çmimet, Rama: Të lumtur teksa kanë zgjedhur Shqipërinë

Plazhi i Sarandës dhe ishulli i Ksamilit janë kthyer në destinacione mjaft të pëlqyera turistike në këtë sezon veror.
Uji i kristaltë, pastërtia që të ofron ky bregdet, çmimet e favorshme dhe shërbimi i ofruar nga operatorët ka bërë që bregdeti shqiptar të tërheqë vëmendjen e shumë pushuesve dhe turistëve të huaj.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video, ku pushuesit vlerësojnë plazhet jugore si vendin ideal për të kaluar pushimet. Ata shprehen se do të rikthehen për të pushuar në këtë vijë bregdetare.
“Pushuesit që po shijojnë plazhet e kristalta, klimën fantastike të bregdetit dhe gjithë ofertën turistike duke ndarë përjetime të sinqerta shprehen se janë të lumtur teksa kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar” shkruan Rama.
“Vend i dashur, i bukur dhe i paqtë. Nuk kam qenë ndonjëherë më parë këtu. Vitin e kaluar ishim ne Kroaci, dhe isha kurioz të shihja dhe Shqipërinë.” shprehet një pushues që ka zgjedhur të pushojë në vendin tonë.
Një tjetër pushues që ka zgjedhur të pushojë në ujërat shqiptare u shpreh se “ka një pamje shumë të bukur, njerëzit janë shumë të sjellshëm. Çmimet janë të ulta”.
“Ky plazh është shumë i pastër dhe ata që shërbejnë janë shumë të sjellshëm”, tha një turiste.
Kanë zgjedhur të pushojnë në vendin tonë se sikurse shprehen, vendi është shumë herë më i bukur dhe çmimet janë të arsyeshme.
Ndërsa një tjetër pushuese e huaj që po pushon për herë të parë në territorin shqiptar tha se “është udhëtimi i saj i parë dhe është shumë e lumtur në Shqipëri”.
“Ksamili është tepër i bukur, një nga ishujt më të bukur që kam vizituar shprehet një pushuese franceze”.
“Kudo ku kam shkuar,” shprehet një tjetër turist anglez, “jam ndjerë shumë mirë me ambientin miqësor dhe me shërbimin tepër të kualifikuar”.
Përveç turistëve të huaj, bregdeti shqiptar po shijohet edhe nga pushues vendas.
Një ditë më parë gjatë një mbledhje me të 61 kryebashkiakët në vend, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se një sulm i organizuar po kryhet për të dëmtuar turizmin shqiptar në vend.
Sipas kreut të qeverisë janë hapur profile false në rrjetet sociale që komentojnë kundër turizmit në Shqipëri dhe publikojnë lajme të rreme sikur në vend nuk ka turistë.
“Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe për këto sulme,” u shpreh Rama, ndërsa shtoi se shifrat në raportet e Komisionit Evropian të Udhëtimeve e rendisin Shqipërinë të parën për rritjen e flukseve turistike për 2024 me një rritje prej 86% më shumë se vjet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




