Turizmi në shifra, ja kapërcimi

Sezoni turistik deri në fund të muajit qershor ka qënë i suksesshëm, referuar shifrave zyrtare. Kjo do të thotë që numri i vizitorëve në hotele dhe objekte akomodimi është rritur 3.9 herë në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, për përdorimin e kapaciteteve të strukturave akomoduese dhe hoteleve në sektorin e turizmit, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, numri i banorëve vetëm në strukturat akomoduese u rrit me rreth 2.4 herë.
Referuar statistikave në tremujorin e dytë të vitit 2021, aq sa janë të dhënat zyrtare të disponueshme, vërehet se numri më i madh i vizitorëve sipas rajoneve është: në “Rajonin e Qendrës” 43.1%; sipas zonave, pranë bregdetit në “Zonat Bregdetare”; 63.4%; sipas llojit të strukturave akomoduese, në “Hotele dhe akomodime të ngjashme”; 96.2%
Treguesit paraprakë të muajit korrik sigurisht që flasin për shifra në rritje të akomodimeve turistike, por ato ende nuk janë bërë të njohura zyrtarisht.
Mësohet se vetëm nga data 1-15 Gusht kanë hyrë 859,316 shtetas të huaj, që janë 4.5% më shumë se e njëjta periudhë e 2019.
Në anën tjetër nuk ka ende shifra specifike për të ardhurat nga turizmi për këtë periudhë. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 31.7 miliardë lekë, 7.2 miliardë më shumë se 7- mujori 2020, si dhe 2.8 miliardë më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 7 mujorin 2021. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i prodhimit. Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton sektori i ndërtimit me rritje 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Qeveria shqiptare ka ulur TVSH për strukturat akomoduese në turizëm, nga 20% në 6%, në përputhje me programin politik që synon nxitjen e zhvillimit të sektorit të turizmit, rritjen e konkurrencës dhe zhvillimin ekonomik. Aktualisht 22 vende anëtare të BE aplikojnë normë të reduktuar të TVSH-së për akomodimin në hotele dhe 20 prej tyre aplikojnë një normë më të vogël se 10 %. Në aspektin fiskal pritet të shoqërohet me formalizim masiv vullnetar. Të ardhurat nga turizmi kapërcyen 1.5 miliardë euro, vetëm dy vite më parë, ndërsa evazioni në këtë sektor në të ardhura dhe në punësim vijon të përbëjë shqetësim për autoritetet fiskale.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




